AKTUALE

Studentët e Universitetit të Tetovës u pajisen me certifikata ndërkombëtare në kuadër të trajnimit teknik për transformimin e gjelbër

Banner

Studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës e përfunduan me sukses trajnimin në kuadër të Programit për Transformimin e Gjelbër, të zhvilluar nga Universiteti Çanakkale Onsekiz Mart (ÇOMÜ) në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) dhe kompaninë lider industriale İÇDAŞ A.Ş. Programi u mbajt prej 20 korrik -1 gusht 2025, në ambientet e kompanisë İÇDAŞ në Turqi dhe përfshiu trajnim teknik intensiv, sesione interaktive me ekspertë të fushës, si dhe vëzhgim praktik në procese industriale të avancuara.
Në këtë trajnim u diskutuan këto tema: Përshtatja e proceseve industriale me standardet mjedisore; Zhvillimi i zgjidhjeve inovative për reduktimin e emetimeve të karbonit; Ekonomia qarkore dhe zbatimi i saj në industri; Menaxhimi i integruar i mjedisit; Protokollet e sigurisë dhe shëndetit në punë si dhe Investimet në energji të rinovueshme.
Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me infrastrukturën teknike të një industrie me orientim të gjelbër, duke fituar përvojë praktike dhe njohuri të çmuara mbi teknologjitë bashkëkohore.
Gjatë programit, pjesëmarrësit shfaqën profesionalizëm, përkushtim dhe aftësi të larta bashkëpunimi në një ambient ndërkombëtar dhe ndërkulturor. Ky trajnim kontribuoi në forcimin e kapaciteteve teknike, zhvillimin profesional dhe rritjen e vetëdijes për qëndrueshmëri mjedisore.
Në përmbyllje të fazës së parë të projektit ndërkombëtar “Modulet e Edukimit për Transformimin e Gjelbër”, më 1 gusht 2025 u mbajt punëtoria me temë “Transformimi i Gjelbër në Industri: Barazia e Mundësive dhe Kalimi i Drejtë”, në ambientet e Rektoratit të Universitetit ÇOMÜ.
Në punëtori morën pjesë: Prof. Dr. R. Cüneyt Erenoğlu, Rektor i Universitetit ÇOMÜ, Prof. Dr. Arda Aydın, Zëvendësrektor, akademikë, përfaqësues të industrisë dhe studentë nga Maqedonia e Veriut dhe Azerbajxhani. Po ashtu, paneli përfshiu kontribuues të shquar si: Doç. Dr. Erdal Eroğlu, anëtar i Këshillit Këshillues për Transformimin e Gjelbër, Prof. Dr. Erhan Sulejmani, Koordinator i Projektit nga Universiteti i Tetovës, z. Özgür İnanmaz, inxhinier i mjedisit nga İÇDAŞ A.Ş., dhe z. Mertcan Şinik, drejtor i fabrikës Dardanel A.Ş. Punëtoria e veçoi rëndësinë e barazisë në qasjen ndaj transformimit të gjelbër dhe promovoi shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare në fushën e inxhinierisë mjedisore. Prof. Dr. Erhan Sulejmani, Koordinator i Projektit nga Universiteti i Tetovës, theksoi se “kjo punëtori shënon përmbylljen e projekteve në Maqedoninë e Veriut dhe Azerbajxhan, por është një sinjal për fillime të reja. Me potencialin rinor dhe kapacitetin shkencor që posedojmë, jemi të gatshëm për bashkëpunime edhe më të gjera në të ardhmen”. Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësit u nderuan me certifikata mirënjohjeje ndërkombëtare për kontributin dhe angazhimin e tyre në këtë projekt të rëndësishëm për të ardhmen e gjelbër të industrisë.

Related posts

Bajram Rexhepi fton tetovarët të votojnë për të ardhmen e përbashkët të qytetit: Të diellën bëhu pjesë e ndryshimit për Tetovën

Gjyla Halili

𝐁𝐀𝐒𝐇𝐊Ë𝐒𝐈𝐀 𝐅𝐄𝐓𝐀𝐑𝐄 𝐈𝐒𝐋𝐀𝐌𝐄 𝐍Ë 𝐌𝐁Ë𝐒𝐇𝐓𝐄𝐓𝐉𝐄 𝐓Ë 𝐊𝐌𝐒𝐇𝐙-𝐬𝐞̈ 𝐃𝐇𝐄 𝐗𝐇𝐀𝐌𝐈𝐕𝐄 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑𝐄 𝐍Ë 𝐙𝐕𝐈𝐂Ë𝐑

Gjyla Halili

Vlerësimi i Artan Grubit për Ali Ahmetin

Gjyla Halili