Koordinatorja e grupit parlamentarë të BDI-së, Rina Ajdari, ka reaguar ashpër ndaj veprimit të Kuvendit që një pyetje parlamentare të parashtruar prej saj në gjuhën shqipe ta përcjellë në Ministrinë e Shëndetësisë vetëm në gjuhën maqedonase.
Ajdari e cilësoi rastin si një skandal institucional dhe një akt të papranueshëm që cenon drejtpërdrejt statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në shtet.
“Pyetjen e parashtrova në gjuhën shqipe dhe vetëm në gjuhën shqipe. Fakti që Kuvendi vendosi ta përcjellë vetëm në maqedonisht është një akt nënçmues ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj shqiptarëve. Për këtë veprim duhet të ketë përgjegjësi politike dhe institucionale”, deklaroi Ajdari.
Sipas saj, edhe më shqetësues është fakti se ky veprim ka ndodhur në institucionin që duhet të jetë garantues i respektimit të të drejtave kushtetuese dhe i barazisë së qytetarëve.
“Është hipokrizi të flitet për barazi, integrim dhe respekt të diversitetit, ndërsa shqipja përjashtohet nga procedurat zyrtare të vetë Kuvendit. Nuk mund të kërkoni vota në shqip dhe më pas ta trajtoni shqipen si gjuhë të dorës së dytë”, theksoi Ajdari.
Ajdari vlerësoi se rasti dëshmon një tendencë shqetësuese të degradimit të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe akuzoi drejtuesit e Kuvendit për heshtje dhe mosveprim.
“Kur një pyetje zyrtare e një deputeteje shqiptare nuk respektohet në gjuhën në të cilën është parashtruar, atëherë nuk kemi të bëjmë me një gabim teknik, por me një mesazh politik të rrezikshëm. Shqiptarët nuk do të pranojnë kthimin pas të të drejtave të fituara me shumë sakrificë”, deklaroi Ajdari.
Ajo kërkoi sqarim publik dhe përgjegjësi nga drejtuesit e Kuvendit, duke theksuar se respektimi i gjuhës shqipe nuk është privilegj, por detyrim kushtetues që askush nuk ka të drejtë ta shkelë.
Ja postimi plotë:
REAGIM PUBLIK
Turp i madh për një institucion që pretendon se i trajton qytetarët me barazi!!
Pyetjen si deputete shqiptare e parashtrova në SHQIP dhe vetëm SHQIP.
Kuvendi, me aminin e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi vendosi ta dërgojë vetëm maqedonisht në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ministri është shqiptar.
Kjo është mungesë respekti ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj çdo shqiptari në këtë shtet.
Nuk mund të kërkoni vota në shqip, e pastaj shqipen ta lini jashtë institucioneve.
Nëse sot një pyetje zyrtare e një deputeteje shqiptare trajtohet vetëm maqedonisht, nesër çfarë do të injorohet tjetër?
Shqipja është gjuhë zyrtare dhe duhet të respektohet në çdo institucion, në çdo dokument dhe në çdo procedurë!!
Dhe sot, Kuvendi dështoi ashtu siç ka dështuar në vazhdimësi këto dy vite.

