AKTUALE

QËNDRIMET E SHTETIT SHQIPTAR DHE ENVER HOXHËS PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS

Të përshëndes miku im Ismet Sylejmani dhe të falënderoj për kujdesin që tregove për botimin e reagimit tim për disa materiale diziformuese që po botohen herë pas here në shtypin shqiptar, në lidhje me qëndrimet e shtetit shqiptar dhe të Enver Hoxhës për Kosovën.

Pata një revoltë të natyrshme kur lexova që gazetarë apo pseudohistorianë deklarojnë që shteti shqiptar dhe Enver Hoxha kanë qenë kundër kërkesës së ligjshme që Kosova nga krahinë autonome, të bëhet republikë brënda federatës Jugosllave.

Ismet, Ti je në dijeni që, unë kam qenë pjesë për mbi 10 vjet e sektorit politik të Kosovës në Komitetin Qëndror të PPSH të krijuar në vitin 1979.

Desha të ritheksoj edhe një herë se ky sektor politik në themel të gjithë aktivitetit të tij, kishte “Kosova Republikë brënda Federatës Jugosllave”.

Për realizimin e këtij qëllimi, sektori mbështetej tek Platforma për Kosovën, e shkruar dhe e firmosur nga Enver Hoxha.

Në këtë platformë jepeshin detyra konkrete për të gjitha institucionet kryesore të shtetit,
se si të vepronin për realizimin e këtyre objektivave.

Sektori ynë, për vite me rradhë, ka ndjekur zbatimin konkret të detyrave, në të gjitha ministritë kryesore të shtetit.

Sektori dërgoi përfaqësuesit e tij diplomatikë, në disa nga ambasadat tona në Evropë, me qëllim zbatimin më nga afër të kësaj platforme.

Ismet, këta pseudohistorianë, për të justifikuar qëndrimet e tyre të mbrapshta e antihistorike, do deklarohen se nuk e kanë gjetur në arkivin e shtetit Platformën për Kosovën, e shkruar dhe e nënshkruar nga Enver Hoxha, por padiskutim në arkivat e çdo ministrie kjo platformë mund të gjendet.

Nuk mund të fshihet puna dhe aktiviteti shumë vjeçar i shtetit shqiptar, në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës.

Ka një përpjekje për të mohuar e zvogëluar kontributin e shtetit shqiptar e të Enver Hoxhës për Kosovën.

Janë zhdukur nga arkivi i shtetit matriale të rëndësishme, si në rastin e kësaj Platforme, por edhe materiale të tjera, sa jam unë në dijeni.

Mbaj mend që kur filluan demonstratat e studentëve në mars të vitit 1981, u bënë disa artikuj në gazetën “Zëri i Populllit”, të cilat shprehnin qëndrimin politik të shtetit shqiptar, në mbështetje të kërkesave të ligjshme të studentëve e të popullit të Kosovës.

Tezat për këto artikuj, Sektorit i erdhën direkt nga Enver Hoxha me shkrimin e tij.

Nuk jam i sigurt nëse ky matrial ndodhet apo është zhdukur nga arkivi i shtetit, por me përgjegjësi deklaroj se personalisht këtë material e kam dorëzuar në arkiv.

Në bazë të këtyre tezave Sektori punoi për përpunimin e materialeve dhe për hir të së vërtetës, artikujt u përgatitën për botim nga Sofokli Lazri, asokohe këshilltar i Ramiz Alisë.

Shqetësimi kryesor i Sektorit në atë periudhë, ishte që, institucionet e shtetit të zbatonin drejt platformën, për të ndikuar që krahina e Kosovës, të aspironte për tu bërë republikë brënda federatës jugosllave.

Sektori kishte të njëjtin shqetësim, që edhe organizatat patriotike që vepronin brënda e jashtë Kosovës, ta mbështesnin e ta orientonin aktivitetin e tyre politik për realizimin e kësaj kërkese, sepse nga organizata patriotike e drejtuesit të tyre shfaqeshin tendenca për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Përpjekjet tona synonin realizimin e kërkesës “Kosova Republikë”, brenda Federatës Jugosllave, si hap i rëndësishëm drejt ardhmërisë së Kosovës.

Kontributi i shtetit shqiptar, i Enver Hoxhës por dhe i Ramiz Alisë, është historik dhe nuk mund të anashkalohet apo të tjetërsohet.

Populli i Kosovës, rinia, veçanërisht ajo e pas viteve 1990, duhet të njohë realitetin, të vërtetën historike që të mos bjerë pre e disinformimeve të qëllimshme, të atyre që duan të ç’bëjnë historinë e ta njollosin atë.

Kristaq Porodini,
Tiranë, 26.07.2026!

Banner

Related posts

Ibrahimi në Klan M: Kjo VMRO dallon nga ajo e vjetra, nëse veprojnë si Gruevski atëherë rrugët tona do të ndahen…

Gjyla Halili

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova për vizitë në ASHAM

Gjyla Halili

Nik Gjeloshaj: Kryengritja e Malësisë, gur themeli i rrugës drejt pavarësisë

Gjyla Halili