BOTA

Polonia arreston dy rusë për shpërndarje të “propagandës së Wagner-it”

Polonia i ka arrestuar dy qytetarë rusë të cilët “po shpërndanin materiale propaganduese të grupit rus Wagner” në Varshavë dhe Krakovë, dy qytetet më të mëdha polake, ka thënë të hënën ministri i Brendshëm i Polonisë, Mariusz Kaminski.

“Të dy akuzohen për spiunazh dhe u arrestuan”, tha ministri polak Kaminski më 14 gusht në X, ish-Twitter, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë për arrestimin e tyre.

Polonia ka paralajmëruar së fundmi për promovime të mundshme nga grupi mercenar, i cili ndodhet në Bjellorusinë fqinje tani, dhe se do ta rrisë praninë e trupave në kufi me Bjellorusinë në 10 mijë sosh.

Mediat polake raportuan javën e kaluar për një prani të ngjitësve me logon e Wagner-it dhe me mbishkrimin në gjuhën angleze: “Ne jemi këtu – bashkohuni me ne”, si dhe kode QR që të drejtojnë te një uebsajt rus për grupin mercenar.

Sipas të përditshmes Gazeta Wyborcza, ngjitësit u raportuan në polici nga banorët në Karkovë dhe Varshavë.

Ministria e Brendshme e Polonisë nuk specifikoi nëse dy burrat rusë u arrestuan në lidhje me shpërndarjen e ngjitësve.

Mijëra mercenarë të Wagner-it kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi jetëshkurtër i këtij grupi në qershor.

Trupat e Wagner-it luajtën rol kyç në pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke i ndihmuar ushtrisë ruse t’i marrë nën kontroll pjesët kryesore të qytetit Bahmut, pas gati 10 muajve luftimesh intensive.

Presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, i mirëpriti forcat e Wagner-it në vendin e tij, pasi e kishte ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kremlinit dhe shefit mercenar Yevgeny Prigozhin në qershor, duke i dhënë fund rebelimit të dështuar të grupit kundër liderëve të ushtrisë ruse./ rel


Top Channel

Banner

Related posts

Fermerët ukrainas dhe polakë kërkojnë zgjidhje mes rrezikut ndaj sigurisë ushqimore

admin

Macron mbledh Komitetin Olimpik, një vit para Lojërave të Parisit (fotot)

admin

Edhe Turqia sot në zgjedhje! Vendoset e ardhmja me ose pa Erdoganin, pas 20 vitesh në pushtet

admin

Leave a Comment