KOSOVË

Policia arreston administratorin e plazhit ku u mbytën babai me dy djemtë

Policia vë në pranga administratorin e pjesës së plazhit të Vilë-Bashtovës, në Gosë, Rrogozhinë, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas.

Nuk kishte marrë masa për sigurimin e jetës së plazhistëve, nuk garantonte shërbimin me vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës, nuk kishte pajisur me sinjalizim dhe me kufizim me bova të hapësirës ujore, pjesën e plazhit që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, arrestohet 34-vjeçari.

“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur mesditën e datës 09.07.2023, në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas (babai dhe dy djemtë e tij të mitur), strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin Pëllumb Nika, 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, pjesën e plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi kjo ngjarje.

Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit), dhe për pasojë janë mbytur në det, shtetasit E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë,” njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë operatorët që kanë përfituar kontrata shërbimi përgjatë vijës bregdetare, që të ushtrojnë aktivitetin në përmbushje të detyrimeve për sigurinë e jetës së pushuesve dhe të marrin masa të menjëhershme për të përmirësuar edhe më shumë kushtet e sigurisë, pasi Policia e Shtetit nuk do të tolerojë në asnjë rast, shkelje të tilla që cenojnë sigurinë dhe jetën e pushuesve në plazhe./oranews

Banner

Related posts

S’e forcojmë ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për ta mbrojtur veten

admin

Rama paralajmëron sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës

admin

Vuçiq thotë se Prishtina zyrtare nuk do që të mbajë zgjedhje në veri

admin

Leave a Comment