Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, zhvilloi një ditë të ngjeshur me aktivitete, duke marrë pjesë në takimin “Zëri i studentëve në Parlamentin e Malit të Zi” dhe në konferencën e mbajtur në Ulqin, kushtuar sfidave të informimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Gjatë takimit me studentët, Camaj dëgjoi nga afër shqetësimet, pyetjet dhe sugjerimet e tyre, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në jetën shoqërore dhe institucionale, si dhe nevojën për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Ai vuri në dukje se procesi i integrimit evropian të Malit të Zi krijon mundësi të reja për brezat e rinj, por se përgjegjësia e institucioneve është të krijojnë kushte që të rinjtë të mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje.
“Evropa nuk duhet të jetë vetëm një destinacion ku të rinjtë tanë kërkojnë të ardhmen, por edhe një standard që ne duhet ta ndërtojmë në vendin tonë”, ishte mesazhi i përcjellë në këtë takim.
Aktivitetet e ditës vijuan në Ulqin, në konferencën “Sfidat e informimit shqip në Malin e Zi”, ku vëmendje e veçantë iu kushtua themelimit dhe zhvillimit të medieve në gjuhën shqipe.
Camaj rikujtoi periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2002, kur u hodhën themelet e shumë medieve shqipe në Mal të Zi, periudhë në të cilën edhe ai vetë kontribuoi në këtë fushë.
Duke folur për rëndësinë e punës dhe kontributit në interes të publikut, ai theksoi se qëllimi kryesor duhet të jetë shërbimi ndaj qytetarëve dhe shoqërisë, përtej interesave individuale apo pretendimeve për merita.
“Rëndësi ka që punët të bëhen sa më mirë, në interes të qytetarëve dhe të shoqërisë. Merita mund t’i takojë kujtdo që kontribuon, sepse e rëndësishme nuk është kush e merr meritën, por çfarë arrijmë së bashku”, ishte mesazhi i Camajt.
Përmes këtyre dy aktiviteteve, në fokus u vunë dy çështje me rëndësi për komunitetin shqiptar në Mal të Zi: krijimi i perspektivave për të rinjtë dhe forcimi i informimit në gjuhën shqipe, si pjesë e përfshirjes shoqërore dhe ruajtjes së identitetit gjuhësor e kulturor.





