Një zhvillim që pritet të ngjallë reagime në skenën politike. Kryetari i Lidhjes Demokratike Boshnjake, Munir Kollashinac, është parë sot përkrah liderëve të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, gjatë ceremonisë së organizuar nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Shkup me rastin e 15 Korrikut – Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar.
Prania e Kollashinacit në krah të drejtuesve të VLEN-it vjen pasi ai ishte pjesë e Frontit Europian, koalicion i udhëhequr nga Ali Ahmeti, të cilit iu bashkua përmes një marrëveshjeje politike të nënshkruar para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024.
Fotografitë nga aktiviteti kanë nxitur spekulime se Kollashinac mund të jetë duke u distancuar nga Fronti Europian dhe duke afruar pozicionet me VLEN-in. Deri më tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga ai apo nga Lidhja Demokratike Boshnjake për ndryshim të kampit politik, megjithatë paraqitja e tij përkrah Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit është parë si një sinjal i qartë politik.
Nëse ky zhvillim do të konkretizohet me një vendim zyrtar, atëherë Fronti Europian do të humbte edhe një subjekt politik nga radhët e tij, ndërsa VLEN do të fitonte një tjetër partner në prag të zhvillimeve të reja në skenën politike.
Mbetet të shihet nëse pas këtij takimi do të pasojnë edhe lëvizje zyrtare politike, apo bëhet fjalë vetëm për një pjesëmarrje në një aktivitet diplomatik.
