Në orën 19:00 të mbrëmjes së sotme janë mbyllur vendvotimet në Bërvenicë, ku banorët e dhjetë vendbanimeve të komunës patën mundësi të votojnë për kryetar komune në zgjedhjet e parakohshme lokale, pas vdekjes së kryetarit të atëhershëm të komunës, Jovica Ilievski, më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare.
Pas mbylljes së vendvotimeve, do të mund të votojnë vetëm personat që në atë moment ndodheshin në vendin ku kryheshte votimi.
Vendvotimet u hapën në orën 07:00. Të drejtë vote kishin 16.256 votues, prej të cilëve 449 janë në punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa në burg ose në paraburgim janë nëntë votues. Ata mund të zgjidhnin njërin nga gjashtë kandidatët: Stojanço Radieski nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE; Jovica Radeski nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM; kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski; Jakup Useini nga koalicioni VLEN; kandidatja e pavarur Arife Idrizi dhe Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), votimi u zhvillua pa pengesa, ndërsa dalja në votime deri në orën 18:30 ishte 44,57 për qind.
Dje, të drejtën e votës e shfrytëzuan 85 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe shtatë persona që janë duke vuajtur dënimin me burg ose ndodhen në paraburgim.
KSHZ-ja i publikon në mënyrë të njëpasnjëshme rezultatet fillestare të zgjedhjeve të marra në mënyrë elektronike, ndërsa rezultatet e bazuara në të dhënat nga procesverbalet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) publikohen brenda 12 orëve nga përfundimi i zgjedhjeve. KKZ-ja i publikon rezultatet fillestare brenda shtatë orëve nga përfundimi i zgjedhjeve, në bazë të të dhënave nga këshillat zgjedhorë, dhe i afishon në tabelën e njoftimeve të komunës, si dhe ua komunikon mediave.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, KSHZ-ja i publikon menjëherë, më së voni brenda 24 orëve nga momenti kur ato bëhen përfundimtare.
Në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar komune zgjidhet kandidati që merr shumicën e votave të votuesve që kanë votuar, me kusht që në zgjedhje të kenë dalë të paktën një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore. Nëse në raundin e parë nuk dalin të paktën një e treta e votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore për komunën përkatëse, e gjithë procedura zgjedhore përsëritet.
Funksionin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Komunës së Bërvenicës gjatë muajve të fundit e ka ushtruar Robert Millosheski.
