Lajme

Lazim Destani po shqyrton largimin nga futbolli i Maqedonisë së Veriut, në tavolinë opsionet Shqipëri dhe Kosovë

Zhvillimet e fundit rreth KF Shkëndijës dhe vendimet që kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv duket se kanë hapur një kapitull të ri për të ardhmen e klubit tetovar. Sipas burimeve jozyrtare pranë klubit, Lazim Destani po shqyrton seriozisht mundësinë që t’i japë fund angazhimit të tij në futbollin e Maqedonisë së Veriut, pas më shumë se një dekade investimesh dhe përkushtimi ndaj Shkëndijës.

Burimet bëjnë të ditur se zhgënjimi i akumuluar nga trajtimi institucional, vendimet e kontestuara dhe ngjarjet e fundit që kulmuan me përjashtimin e Shkëndijës nga gara e Kupës, kanë shtyrë drejtuesit e klubit të analizojnë rrugë të reja për të ardhmen.

Sipas të njëjtave informacione, në diskutim nuk është vetëm tërheqja nga investimet në futbollin vendor, por edhe mundësia e orientimit të kapitalit, përvojës dhe ambicieve sportive drejt tregjeve të tjera shqiptare të futbollit. Në qarqe sportive po përflitet se si alternativë serioze po shqyrtohen kampionatet e Kosovës dhe Shqipërisë, vende ku interesimi për projekte të mëdha sportive dhe zhvillimin e klubeve mbetet i lartë.

Lazim Destani konsiderohet arkitekti i suksesit modern të Shkëndijës. Nën mbështetjen e tij, klubi u shndërrua nga një skuadër lokale në një emër të njohur në arenën evropiane, duke fituar trofe, duke marrë pjesë në garat ndërkombëtare dhe duke ngritur standardet e futbollit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, sipas burimeve jozyrtare, ekziston bindja se investimet milionëshe, sukseset sportive dhe kontributi i vazhdueshëm nuk janë shoqëruar me respektin dhe trajtimin që pritej nga institucionet e futbollit në vend. Për këtë arsye, po shqyrtohet seriozisht mundësia që kapitulli i futbollit në Maqedoninë e Veriut të mbyllet, ndërsa energjia dhe investimet të orientohen drejt një projekti të ri në Kosovë ose Shqipëri.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se, nëse nuk realizohet një projekt i mundshëm në Kosovë ose Shqipëri, nuk përjashtohet as mundësia që Lazim Destani të tërhiqet plotësisht nga futbolli. Sipas të njëjtave burime, zhgënjimi nga zhvillimet e fundit ka bërë që të gjitha opsionet të jenë në tavolinë, përfshirë edhe largimin përfundimtar nga investimet në futboll, pas shumë vitesh angazhimi dhe mbështetjeje për sportin shqiptar në rajon.

Banner

Related posts

Peter Magyar i vendos ultimatum presidentit të jap dorëheqje

Admin2

Oficeri dhe ushtarë të ushtrisë libaneze vriten në sulmin izraelit mes tensioneve gjatë armëpushimit

Admin2

Shabani: Përfaqësimi i shqiptarëve në Armatë është 24 për qind

Admin2