Boksieri shqiptar Kristian Prenga është i bindur se mund të realizojë një nga surprizat më të mëdha të viteve të fundit në boksin profesionist, kur më 26 korrik do të përballet me ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, në një duel që do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.
Pas konferencës së parë për shtyp, Prenga u shfaq plot vetëbesim, duke deklaruar se nuk po hyn në ring thjesht për të përfituar nga shpërblimi financiar, por me synimin e qartë për të fituar.
“Joshua ka kaluar shumë gjëra. Ka qenë larg boksit për një periudhë, pati edhe aksidentin me makinë dhe më vjen keq për atë që ka kaluar. Por tani është koha ime. Besoj se do ta nokautoj. Ju premtoj se kjo ndeshje nuk do të shkojë deri në 10 raunde”, deklaroi shqiptari për “IFLTV.com”.
35-vjeçari u pyet gjithashtu se çfarë duhet të dinë tifozët për të, veçanërisht ata që nuk e njohin ende karrierën e tij.
“Unë jam luftëtar. Nuk jam thjesht boksier, jam luftëtar. Luftoj në çdo moment. Do ta trondit botën, vëlla. Do ta trondit botën”, u shpreh Prenga me vendosmëri.
Përballja ndaj Joshua-s konsiderohet mundësia më e madhe në karrierën e boksierit shqiptar. Deri më tani, Prenga nuk është përballur me rivalë të nivelit të ish-kampionit britanik, çka bën që ai të konsiderohet favorit absolut në këtë duel.
Megjithatë, shqiptari duket i vendosur të sfidojë çdo parashikim. Nëse arrin të mposhtë Joshua-n, suksesi do të konsiderohej një nga befasitë më të mëdha në boksin profesionist dhe momenti më i rëndësishëm i karrierës së tij sportive.
