AKTUALE

Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së e përdorimi i gjuhës shqipe duhet të trajtohen seriozisht, e s’janë fare në agjendën e takimit të nesërm Kosovë-RMV

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës thotë se janë “së paku dy çështje kyçe” që do të duhej të trajtoheshin në takimin e nesërm të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, por që “nuk janë fare në agjendë”.

Memli Krasniqi tha fillimisht se “Kosova duhet ta rikthejë traditën e mirë të takimeve me Shqipërinë”.

Të hënën, Qeveria e Kosovës do të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, i cili është një hap i mirë për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Megjithatë, para çfarëdo mbledhjeje tjetër, Kosova duhet ta rikthejë traditën e mirë të takimeve me Shqipërinë, një praktikë e rëndësishme për unitetin dhe bashkëpunimin ndërshqiptar, e cila është ndërprerë nën qeverinë aktuale të Albin Kurtit. Këto takime mbeten jetike për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e lidhjeve tona kulturore, ekonomike dhe politike”, shkroi ai në një postim në Facebook.

“Sa i përket takimit me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, janë së paku dy çështje kyçe që duhet të trajtohen seriozisht, e të cilat nuk janë fare në agjendë”, shtoi Krasniqi.

Ai përmendi “përndjekjen dhe arrestimin e veteranëve të UÇK-së” në RMV, për të cilat tha se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë që të mos përsëriten më.

“Së pari, përndjekja dhe arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cënon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Sot, asnjë veteran i UÇK-së nuk është i sigurt të kaloj kufirin me Maqedoninë e Veriut, për shkak të rrezikut që ku shtet të zbatojë fletë-arrestet e Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë”.

Së dyti, Krasniqi tha se “të drejtat themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, duhet të mbrohen me vendosmëri”.

“Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duhet të ngrisin zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cënohet askujt dhe askund. Çdo përpjekje për t’i cenuar këto të drejta duhet të ndalet menjëherë”, shkroi ai.

Derisa këto çështje urgjente të adresohen siç duhet, pikat e tjera të agjendës rrezikojnë të mbeten nën hijen e pakënaqësive të pazgjidhura të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Bashkëpunimi i vërtetë kërkon një qasje të ndershme dhe proaktive ndaj sfidave të tilla, duke siguruar që dinjiteti dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen dhe të mbrohen pa dallim. Përndryshe, mbledhje të përbashkëta për shou politik e pa përmbajtje nuk i duhen askujt”, shtoi Krasniqi.

Banner

Related posts

Bajram Rexhepi: Ligji për përfaqësim të drejtë është goditje ndaj barazisë dhe Marrëveshjes së Ohrit

Gjyla Halili

Sot ditë zie në Kosovë, në kujtim të të gjitha grave të vrara

Gjyla Halili

Koncert festiv në Brigje të Hotit për “Lahutën e Malësisë” në UNESCO

Gjyla Halili