Policia e Malit të Zi ka proceduar katër persona në lidhje me një ngjarje të ndodhur më 20 gusht në Tuz, ku një flamur shqiptar u vendos mbi një automjet zyrtar të Policisë.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për E.K. (21) dhe A.S. (28), të dy nga Malësia, si dhe dy të mitur 16-vjeçarë, njëri prej të cilëve shtetas i Shqipërisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në sheshin e Tuzit. Sipas policisë, E.K. po mbante flamurin shqiptar, ndërsa dy të miturit shfaqnin simbolin e shqiponjës. Më pas, njëri prej tyre e ka vendosur flamurin mbi një automjet policor të parkuar aty pranë.
Ngjarja është fotografuar dhe filmuar nga A.S., i cili më pas e ka publikuar materialin në TikTok.
Për katër personat janë paraqitur kallëzime kundërvajtëse në Gjykatën për Kundërvajtje në Podgoricë, për shkelje të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, që lidhen me përdorimin e flamujve dhe simboleve të një shteti tjetër në vende publike.
Ndërkohë, përdorimi dhe shfaqja publike e flamurit shqiptar si simbol kombëtar është e garantuar me ligj në Mal të Zi. Ligji për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare u njeh komuniteteve kombëtare të drejtën për të përdorur dhe shfaqur publikisht simbolet e tyre.
Në këtë rast lind pyetja: A janë proceduar këta persona për shfaqjen e flamurit shqiptar apo për vendosjen e tij mbi automjetin e policisë?
Pritet që ministrat shqiptarë në Qeverinë e Malit të Zi të reagojnë dhe të sqarojnë këtë çështje, si dhe të shpjegojnë se si harmonizohen dy ligjet: ai që garanton përdorimin e flamurit kombëtar dhe Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike, mbi bazën e të cilit janë proceduar këta persona.
