KOSOVË

Jam i përkushtuar për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes drejt normalizimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i përkushtuar që të punojë me Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e shteteve të QUINT-it për të punuar në zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Serbinë.

Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e Mbretërisë së Bashkuar, lordin Stuart Peach, lidhur me zhvillimet e fundit, një ditë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

“Theksova se qëllimi i vetëm i Qeverisë sonë është të ofrojë qasje në zyra për kryetarët e zgjedhur dhe shpreha përkushtimin tim që të punoj me Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e QUINT-it për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes Bazë”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Twitter.

Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, e cila asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të hynin në zyrat e tyre për të nisur punën, pasi një ditë më parë kishin bërë betimin.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë drejt organeve të rendit.

Disa makina u dogjën dhe të paktën pesë policë u lënduan. Pas tensioneve në veri, Serbia ngriti në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të saj.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it dënuan ashpër vendimet e Qeverisë së Kosovës, duke i bërë thirrje që të shtensionojë situatën. Kosova ia ka vënë fajin Serbisë dhe “strukturave ilegale dhe bandave kriminale” për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

SHBA-ja tha se veprimet në veri, jo vetëm që do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe, por edhe minojnë përpjekjet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu për normalizim të raporteve ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Në kuadër të dialogut, më 27 shkurt palët arritën Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq në mars u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti prej 11 nenesh kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Banner

Related posts

Aksident në autostradën “Arbën Xhaferi”, vdiq një person

admin

Vuçiq thotë se Prishtina zyrtare nuk do që të mbajë zgjedhje në veri

admin

Plagosja në Veri të Kosovës, arrestohen katër policë

admin

Leave a Comment