Forumi i Gruas i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Dega Tetovë, në bashkëpunim me Sekretariatin për Shëndetësi – Dega Tetovë, organizoi një panel ndërgjegjësues kushtuar rëndësisë së zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, trajtimit në kohë, mbështetjes psikologjike dhe solidaritetit me gratë që përballen me këtë sëmundje.
Gjatë panelit u trajtuan çështje me rëndësi të veçantë për shëndetin e gruas, duke theksuar rolin e kontrolleve të rregullta mjekësore, diagnostikimit të hershëm dhe qasjes së duhur ndaj trajtimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mbështetjes emocionale dhe psikologjike, si dhe nevojës që çdo grua të ndihet e përkrahur dhe e mbështetur gjatë përballjes me këtë sfidë.
Në këtë panel kontribuuan profesionistë të fushës së mjekësisë, psikologjisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile:
Prim. Subspec. Dr. Argjend Imeri – radiolog;
Doc. Dr. Ilir Vela – kirurg torakal;
Spec. Dr. Ermira Hamzai – kirurge plastike dhe rekonstruktive;
Arbana Pasholli – psikologe;
Miranda Beqiri – përfaqësuese e Shoqatës EZRA.
Panelistët ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre profesionale, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme për ndërgjegjësimin, parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe rëndësinë e mbështetjes së grave që përballen me kancerin e gjirit.
Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrëset iu bashkuan “Murit të Shpresës”, ku përmes mesazheve të frymëzimit, dashurisë dhe solidaritetit shprehën përkrahjen e tyre për çdo grua që po përballet me këtë sëmundje.
Forumi i Gruas i BDI-së, Dega Tetovë, mbetet i përkushtuar në promovimin e shëndetit të gruas, fuqizimin e rolit të saj në shoqëri dhe ngritjen e vetëdijes për çështje që prekin drejtpërdrejt jetën dhe mirëqenien e saj.
Sepse ndërgjegjësimi shpëton jetë, shëndeti i gruas është prioritet dhe solidariteti është forcë.
Bashkë për jetën. Bashkë për çdo grua! 💗🎗️















