Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka zhvilluar sot një takim pune me Christophe Kamp, Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, në cilësinë e anëtarit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Gjatë takimit, Bexheti ka ngritur një sërë çështjesh që, sipas tij, paraqesin shqetësim serioz për pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve në vend. Në fokus të diskutimit ishin mosfunksionimi i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike, çështja e gjuhës shqipe, Balancuesi, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, si dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese që, sipas vlerësimit të tij, cenojnë të drejtat e shqiptarëve.
Bexheti theksoi se majorizimi dhe keqpërdorimi i institucioneve rrezikojnë drejtpërdrejt frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, e cila përbën një nga themelet e paqes, demokracisë dhe bashkëjetesës në vend.
Ai nënvizoi se respektimi i të drejtave të shqiptarëve nuk duhet të trajtohet si çështje e vullnetit politik apo si privilegj, por si detyrim që buron nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
“Të drejtat e shqiptarëve nuk janë privilegj, por detyrim kushtetues dhe ligjor!”, ishte mesazhi i Blerim Bexhetit pas takimit.


