AKTUALE

BDI: PO SHKATËRROJNË SHTYLLËN KRYESORE TË LIGJIT PËR GJUHËN SHQIPE – HESHTJA SOT ËSHTË BASHKËFAJËSI NESËR

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj zhvillimeve të fundit skandaloze që prekin drejtpërdrejt Inspektoratin për Zbatimin e Gjuhëve, institucionin kyç për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Prej më shumë se katër muajsh, inspektorët e këtij institucioni nuk kanë marrë pagat, nuk kanë sigurim shëndetësor, as mbulim social.

Kjo nuk është thjesht një padrejtësi sociale – kjo është një strategji e qëllimshme për t’i larguar profesionistët që janë trajnuar dhe licencuar me vite për të mbrojtur ligjin.

Ky është kapitulli i radhës në një ofensivë të organizuar kundër statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Fillimisht, institucionit iu mor pavarësia, duke u futur nën Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim kontrolli dhe varësie politike.

Tani, me mosdhënien e pagave dhe shpërfilljen e funksionit të tyre, synohet shkatërrimi përfundimtar i këtij mekanizmi mbikëqyrës.

Në të njëjtën kohë:

• Gjykata Kushtetuese po shqyrton kushtetutshmërinë e vetë Ligjit për Gjuhët,
• Institucionet nuk po e zbatojnë ligjin në praktikë,
• Web-faqet e ministrive dhe ndërmarrjeve publike janë fshirë nga përmbajtjet në shqip,
• Dokumentet zyrtare po publikohen ekskluzivisht në maqedonisht,
• Dhe tani, po goditet edhe institucioni që mbikëqyr zbatimin e ligjit.

Kjo nuk është neglizhencë. Ky është një plan i mirëpërgatitur për të çmontuar çdo gjë që është ndërtuar rreth përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në vend.

Ky është momenti që nuk duron më asnjë ditë heshtje. Çdo heshtje tani është bashkëfajësi nesër.

Thirrja jonë shkon për të gjithë – pa dallim etnie, partie, apo pozite shoqërore.

Përfaqësues të shoqërisë civile, qytetarë, intelektualë, media, partnerë ndërkombëtarë – tani është koha të ngrisim zërin.

Gjuha shqipe nuk është dekor. Është e drejtë kushtetuese, është barazi, është dinjitet.

Banner

Related posts

Bexheti pas padive: Ta kenë të qartë nuk ndalem, nuk shantazhohem

Gjyla Halili

Ja tre shtyllat kryesore të qeverisë së re sipas Ruzhdi Matoshit

admin

Rritja e çmimeve të ushqimeve, Mickoski: Po e ndjekim situatën, së shpejti do të dalim me propozim për zgjidhje

Gjyla Halili