Me propozim të këshilltarëve të BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, sot, në seancën e Këshillit të Komunës së Tetovës, kërkuam që propozim-vendimi ynë për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve dhe sheshit të Tetovës të diskutohej si pikë e parë e rendit të ditës.
Kjo kërkesë nuk u pranua, edhe pse bëhej fjalë për çështjen më të rëndësishme për Tetovën dhe qytetarët e saj, një çështje që prek drejtpërdrejt historinë, identitetin dhe dinjitetin e qytetit.
Për hir të së vërtetës dhe për sqarim të plotë të opinionit publik, pasi shumica nuk pranoi që kjo pikë të diskutohej e para, këshilltarët tanë vendosën ta bllokonin vazhdimin e seancës. Pas kësaj, u thirr një takim koordinues.
Edhe pse ne nuk u pajtuam me këtë propozim, gjatë koordinimit vetë udhëheqësia komunale propozoi që kjo pikë të mos diskutohej sot, që seanca të ndërpritej para shqyrtimit të saj dhe të vazhdonte pas mbledhjes së Komisionit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve, e cila do të mbahet nesër, në ora 15:00.
Mirëpo, udhëheqësia komunale e PA BESË dhe këshilltarët e VMRO–VLEN-it nuk e respektuan as edhe “propozimin” e tyre.
Në shenjë revolte ndaj shpërfilljes së kërkesës sonë dhe degradimit të kësaj çështjeje, këshilltarët e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët u larguan nga seanca e Këshillit.
Pushteti aktual e shfrytëzoi këtë situatë dhe në mënyrë klandestine, vazhdoi seancën, duke e tërhequr nga rendi i ditës propozim-vendimin tonë për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve dhe sheshit të Tetovës.
Ky veprim dëshmon se udhëheqësia komunale dhe shumica VMRO–VLEN nuk kanë pasur asnjëherë vullnet të sinqertë për ta zgjidhur këtë çështje. Qëllimi i tyre ka qenë shmangia e debatit publik dhe largimi i propozimit tonë nga rendi i ditës përmes manovrave procedurale.
Kjo edhe një herë i përforcon dyshimet tona se udhëheqësia komunale, VMRO-ja dhe Gjykata Kushtetuese vepruan në të njëjtën vijë për abrogimin e emrave që pasqyrojnë historinë e Tetovës, duke rikthyer Titon dhe Leninin në zemër të qytetit.
I sigurojmë qytetarët se, pavarësisht lojërave të flliqura të kësaj udhëheqësie komunale dhe këshilltarëve të heshtur që funksionojnë me telekomandë partiake, ne do ta vazhdojmë betejën tonë për largimin e emrave të turpshëm të “botës serbe” nga rrugët e Tetovës.
Këtë betejë do ta zhvillojmë përmes të gjitha mekanizmave ligjorë dhe demokratikë që kemi në dispozicion, duke garantuar transparencë të plotë dhe informim të vazhdueshëm të opinionit publik.
❗️Për t’u shmangur labirinteve burokratike dhe zvarritjes së mëtejshme të punës së Komisionit, i cili për plot 164 ditë nuk ka mbajtur asnjë mbledhje, kërkojmë që, brenda 30 ditëve, kryetari i Komunës dhe Komisioni pas të cilit ai fshihet t’ia dorëzojnë Këshillit listën përfundimtare me emrat e propozuar për rrugët dhe sheshin e Tetovës.
Për historinë dhe dinjitetin e Tetovës nuk bëjmë pazare dhe as kompromise politike.
