Kryetari i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së VLEN-it lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar propagandë politike paraqitjen e një procesi ende të papërfunduar si sukses.
Sipas Rexhepit, për jurisprudencën në gjuhën shqipe ende nuk është miratuar ligj, ndërsa Qeveria ka vendosur vetëm të kërkojë mendim nga Komisioni i Venecias. Ai thekson se miratimi i ligjit është kompetencë e Kuvendit dhe se një mendim i Komisionit të Venecias nuk e zëvendëson procedurën parlamentare.
Rexhepi vë në pah edhe mospërputhjen ndërmjet kërkesave të studentëve dhe modelit të propozuar, pasi studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, ndërsa propozimi aktual parasheh teorinë në shqip dhe praktikën në maqedonisht.
„Shqipja zyrtare në teori, maqedonishtja në praktikë“, është mesazhi kritik i Rexhepit ndaj kësaj zgjidhjeje.
Ai gjithashtu rikujton se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve duhet të zbatohet, duke iu referuar veçanërisht nenit 23, dhe shtron pyetjen se si do të sigurohet shumica e nevojshme e Badinterit në Kuvend për miratimin e zgjidhjes ligjore.
Sipas Rexhepit, dërgimi i çështjes për mendim në Komisionin e Venecias nuk garanton votat parlamentare dhe as përfundimin e procesit ligjvënës.
„Mjaft me poshtërim dhe mashtrim! Ta shpallësh triumf cungimin e një të drejte është blasfemi politike“, thekson Bajram Rexhepi në reagimin e tij.
Në përfundim, kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë kërkon që çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës të trajtohet me zgjidhje të plotë ligjore dhe me respektimin e të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë.
Ja postimi tij:
DËSHTIMI DHE BLASFEMIA POLITIKE E VLEN-it
Kupa e gënjeshtrave është mbushur. Kur mungojnë rezultatet, propaganda bëhet strehë e dështimit. VLEN-i, eksperimenti politik nën hijen e VMRO-së, po konsumon edhe mbetjet e fundit të ekszistencës së vetë politike.
Për jurisprudencën në shqip ende nuk është miratuar ligj. Qeveria ka miratuar kërkimin e një mendimi nga Komisioni i Venecias. Ligjin e miraton Kuvendi, ndërsa VLEN-i feston sikur gjithçka ka përfunduar.
Studentët kërkojnë provimin tërësisht në shqip; modeli i propozuar ofron teorinë në shqip dhe praktikën në maqedonisht. Dhe përmbledhja e politikës së tyre…shqipja zyrtare në teori, maqedonishtja në praktikë!
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve kërkon vetëm zbatim. Respektivisht neni 23. VLEN-it i duhet pesha politike për ta zbatuar, ndërsa qytetarëve u shitet një zgjidhje e cunguar si fitore historike.
Dhe pas ekskursionit burokratik në Venecia, me cilat vota do ta siguroni shumicën e Badinterit në Kuvend? Mendimi i Venecias nuk prodhon vota parlamentare.
Mjaft me poshtërim dhe mashtrim! Ta shpallësh triumf cungimin e një të drejte është blasfemi politike.
