AKTUALE

Anketa e IRI-t: Grubi ministri më i dobët

VMRO-DPMNE-ja vazhdon të mbajë më lart rejtingun e saj politik se sa partitë e tjera në vend. Në anketën e fundit të IRI-t të realizuar në periudhën prill-maj të këtij viti, 19% e të anketuarve kanë deklaruar se nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, do të kishin votuar për partinë e Mickoskit. Mbështetja për LSDM-në shënon ulje dhe tani është në 11%, BDI-ja do të merrte 8% të votave kurse Aleanca për Shqiptarët 5%. 15% e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të votonin kurse 18% janë të pavendosur.

Oliver Spasovski është i pari në listën e ministrave në pyetjen se cili ministër e bën më mirë punën, kurse Artan Grubi është i pari në listën e ministrave që sipas të anketuarve, nuk e bëjnë punën siç duhet.

Sipas rezultateve të kësaj ankete, vetëm 30% e qytetarëve pajtohen plotësisht ose deri diku me futjen e pakicës bullgare në Kushtetutë kurse 64% janë totalisht kundër ose deri diku kundër. 66% mendojnë se Bullgaria është kundërshtari kryesor i anëtarësimit të vendit në BE.

Por nga ana tjetër, mbështetja për integrimin e vendit në BE ka shënuar rritje. Edhe atë, 79% mbështesin integrimin e vendit në BE kurse 17% janë kundër.

Shumica e të anketuarve, edhe atë 25% e shohin Turqinë si vend që mbron më së shumti interesat nacionale të vendit dhe kjo shifër ka shënuar rritje të theksuar në tre vitet e fundit. Në vend të dytë është BE-ja, me 18% dhe në vend të tretë Gjermania, me 13%.

Në rrafsh lokal, problem më i madh që ka Shkupi, sipas të anketuarve, është transporti publik, planifikimi dhe zhvillimi urban si dhe siguria dhe krimi, dhe 53% e tyre mendojnë se kryetarja Danella Arsovska nuk e bën mirë punën që të rizgjidhet. Në nivel të të gjithë komunave, 38% e të anketuarve nuk janë të kënaqur me punën e krerëve të komunave, kurse 43% mendojnë se kreu i komunës së tyre e bën mirë punën.

Në këtë anketë qytetarët kanë pranuar se gjithmonë e më pak ndjekin lajme politike në bazë ditore por gjithsesi televizioni mbetet burimi përzgjedhja e parë për të ndjekur lajme për 73% prej tyre. Alsat është ndër mediat më të ndjekura për lajme politike, e katërta në listë, me 18%.

Anketa e IRI-t është realizuar sy në sy me 1204 persona të moshës mbi 18 vjeçare, me marzhë gabimi +-2.8.

Banner

Related posts

MASH po punon për një zgjidhje të re ligjore për cilësi më të lartë të teksteve shkollore

admin

Prindërit kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi për tragjedinë në Koçan

Gjyla Halili

Ahmeti: Mirëpres vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi në Shkup, mbështes arritjen e një marrëveshje finale

admin

Leave a Comment