AKTUALE

Agron Dedivanaj: Të largosh profesorët e mirë është të dëmtosh arsimin

Drejtori i Shkollës Shqipe në Michigan, Agron Dedivanaj, ka reaguar fuqishëm ndaj largimit të profesorit Mark Junçaj nga puna, duke kërkuar rishikimin e vendimit dhe korrigjimin e asaj që e konsideron një gabim që dëmton jo vetëm profesorin, por edhe nxënësit dhe vetë sistemin arsimor.

“Profesorët ekselentë nuk guxojnë të largohen nga puna. Ata duhet të vlerësohen, të mbështeten dhe të stimulohen për dijen, përvojën dhe përkushtimin që kanë dhënë ndër vite”, shprehet Dedivanaj.

Ai nënvizon se mbështetja për profesorin Mark Junçaj nuk buron thjesht nga njohja e tyre e hershme, por nga bindja e tij për vlerat dhe profesionalizmin që ai ka dëshmuar gjatë gjithë rrugëtimit të tij.

“Këtë nuk e them për Markun vetëm sepse ka qenë shoku im i shkollës. E them sepse e njoh prej shumë vitesh dhe e di mirë kapacitetin e tij, dijen, integritetin dhe përkushtimin ndaj profesionit dhe nxënësve.”

Sipas Dedivanajt, largimi i një mësuesi të mirë nuk është një çështje që prek vetëm individin.

“Kur një profesor i mirë largohet nga klasa, nuk humb vetëm ai. Humbin nxënësit, humb shkolla dhe, në fund, humb shoqëria.”

Dedivanaj kërkon që vendimi të rishikohet me përgjegjësi dhe që institucionet të mos lejojnë që vendime të gabuara të dëmtojnë njerëzit që kanë kontribuar në edukimin e brezave.

“Nëse janë bërë gabime, ato duhet të korrigjohen. Markut duhet t’i jepet mundësia të vazhdojë atë që di dhe bën më së miri: misionin fisnik të edukimit të brezave të rinj dhe të mësimit të historisë së popullit shqiptar.”

Në një kohë kur arsimi ka nevojë më shumë se kurrë për profesorë me përvojë, integritet dhe përkushtim, Dedivanaj e konsideron të papranueshme që kuadrot më të mira të humbin nga klasat.

“Arsimi nuk ndërtohet duke larguar profesorët më të mirë. Nuk ndërtohet duke i demotivuar ata që kanë dhënë vite të tëra për nxënësit. Arsimi përparon kur profesorët respektohen, mbështeten dhe vlerësohen për atë që janë dhe për atë që japin.”

Në fund, Dedivanaj përcjell një mesazh të qartë:
“Një profesor i mirë nuk është thjesht një punonjës i shkollës. Ai është formues i brezave, ruajtës i dijes dhe investim për të ardhmen. Të largosh një profesor të tillë është të humbasësh një pjesë të së ardhmes së fëmijëve tanë.”

Banner

Related posts

U MBAJT MBLEDHJE E KUVENDIT TË BFI-SË

Gjyla Halili

Kryetarët Lladrovci dhe Peci nënshkruajnë Marrëveshje, Drenasi përkrah Zveçanin në disa fusha

admin

Jozyrtare Klan Macedonia mëson Kasami në Tetovë, Sejdiu në Zhelinë dhe Memishi në Tearcë janë kandidat të VLEN për Zgjedhjet Lokale

Gjyla Halili