Shkruan: Behare Neziri
Shqiptarët kanë një veçori që nuk duhet ta harrojmë kurrë: para se të jemi myslimanë, katolikë, ortodoksë apo bektashinj, ne jemi shqiptarë.
Feja është pjesë e shpirtit dhe e bindjes personale të secilit. Kombi është kujtesa jonë e përbashkët, gjuha jonë, historia jonë, kultura jonë dhe ajo ndjenjë përkatësie që na ka mbajtur bashkë edhe në periudhat më të vështira të historisë.
Kjo është pikërisht ajo që i bëri përshtypje Edith Durhamit, udhëtares dhe studiueses së njohur britanike që kaloi vite mes shqiptarëve. Ajo vuri re se, ndërsa në pjesë të tjera të Ballkanit njerëzit shpesh identifikoheshin përmes përkatësisë fetare, shqiptari e vendoste në plan të parë përkatësinë kombëtare. Në një nga përshkrimet e saj më të njohura, kur pyeste njerëzit për identitetin e tyre, përgjigjet ishin të lidhura me fenë; kur hyri në Shqipëri dhe bëri të njëjtën pyetje, përgjigjja ishte e prerë: “Shqiptarë.”
Dhe Durhami e shprehte këtë ide edhe më qartë në një tjetër vëzhgim: “Whether Christian or Mussulman, the Albanian is intensely Albanian” – pavarësisht nëse është i krishterë apo mysliman, shqiptari është thellësisht shqiptar.
A nuk është kjo një pasuri që duhet ta ruajmë?
Shqiptarët u përkasin traditave të ndryshme fetare: ka shqiptarë myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashinj, si dhe besimtarë të traditave të ndryshme brenda Islamit e Krishterimit. Por këto dallime nuk e kanë bërë historikisht shqiptarin më pak shqiptar. Përkundrazi, përvoja jonë historike dëshmon se kemi ditur të jetojmë pranë njëri-tjetrit, të martohemi ndërmjet familjeve të besimeve të ndryshme, të festojmë gëzimet e njëri-tjetrit dhe, mbi të gjitha, të ndiejmë se kemi një atdhe të përbashkët.
Prandaj pyetja sot nuk duhet të jetë: “Cilës fe i përket shqiptari?”
Pyetja duhet të jetë:
Kujt i shërben përçarja fetare e shqiptarëve?
Kujt i duhet që shqiptari të shohë te shqiptari tjetër fillimisht fenë dhe vetëm pastaj kombin?
Kujt i duhet që një katolik të ndjehet më pak shqiptar përballë një myslimani, një mysliman më pak shqiptar përballë një ortodoksi, apo një ortodoks më pak shqiptar përballë një bektashiu?
A nuk është pikërisht kjo ajo që nuk duhet t’ua lejojmë vetes?
Sepse një shqiptar i ndarë në emër të fesë është më i dobët se një shqiptar që e sheh fenë si bindje personale dhe kombin si shtëpi të përbashkët.
Feja mund të jetë rruga jote drejt Zotit.
Por shqiptaria është ajo që na lidh me njëri-tjetrin.
Mund të lutemi në xhami, në kishë, në teqe apo të mos ndjekim asnjë institucion fetar. Mund të kemi mënyra të ndryshme për ta përjetuar Zotin, por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë atë që kemi të përbashkët.
Sepse Zoti nuk na kërkon të urrejmë njëri-tjetrin për shkak të ndryshimit. Dhe historia nuk na fal nëse e shndërrojmë ndryshimin në përçarje.
Shqiptarët kanë mbijetuar si komb jo sepse kanë qenë të një feje, por sepse kanë ditur të jenë një komb me shumë besime.
Kjo është një nga bukuritë tona.
Dhe ndoshta, në një kohë kur gjithçka po përpiqet të na ndajë në kampe, duhet ta kujtojmë më fort se kurrë:
Feja është çështje e ndërgjegjes.
Shqiptaria është çështje e përkatësisë.
Dhe përkatësia jonë kombëtare nuk ka nevojë të ketë një fe të vetme për të qenë e fortë.
Prandaj, para se të pyesim shqiptarin tjetër “Çfarë feje je?”, le të mos harrojmë ta pyesim veten:
“Çfarë po bëj unë për të mos e humbur shqiptarin brenda shqiptarit?”
