Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe kolegët e tij nga VLEN-i, vizitoi punimet për ndërtimin e Kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, menjëherë pas vendosjes së gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë.
Mexhiti theksoi se brenda së njëjtës ditë po marrin jetë dy investime me rëndësi strategjike, që sipas tij përfaqësojnë dy rrugë drejt së ardhmes: njëra që lidh Shkupin me Prishtinën dhe tjetra që, përmes arsimit, hap mundësi të reja për gjeneratat e ardhshme.
“Autostrada Shkup–Bllacë do ta afrojë Shkupin me Prishtinën dhe Maqedoninë e Veriut me Kosovën, duke hapur një arterie të re komunikimi, zhvillimi dhe bashkëpunimi. Ndërsa këtu, në Shkup, po ndërtohet rruga e dijes përmes Kampusit të ri të Universitetit ‘Nënë Tereza’, investimi më i madh deri më tani në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Mexhiti.
Ai vuri në dukje edhe simbolikën e datës 26 gusht, ditëlindjes së Nënë Terezës, duke theksuar se kampusi po ndërtohet pikërisht në Shkup, qytetin e lindjes së humanistes së madhe.
“Sot, në ditëlindjen e Nënë Terezës, në Shkupin e saj të lindjes, po ndërtojmë një universitet që mban emrin e saj dhe që nesër do të jetë shtëpi e dijes për gjenerata të tëra”, deklaroi Mexhiti.
Sipas tij, këto projekte tashmë nuk janë vetëm premtime, por investime konkrete që po ndërtohen dhe po marrin formë.
“Këto nuk janë më premtime të shkruara në letër. Janë vepra që po ndërtohen dhe po marrin jetë para syve tanë. Janë dëshmi e një kohe të re, ku shqiptarët nuk presin zhvillimin, por janë pjesë e tij; nuk kërkojnë vetëm mundësi, por ndërtojnë institucione, infrastrukturë dhe perspektivë”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se nga infrastruktura që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, deri te forcimi i arsimit të lartë në gjuhën shqipe, po ndërtohet një perspektivë që tejkalon kufijtë e një mandati politik.
“Që nga rruga që na lidh me Kosovën, te universiteti që forcon dijen në gjuhën shqipe, po vendosim gurët e një të ardhmeje që do të mbetet shumë më gjatë se një mandat”, përfundoi Mexhiti.
Ja postimi plotë:
Nga rruga që na bashkon, te rruga e dijes
Një rrugë po e afron Shkupin me Prishtinën. Një universitet po u hap rrugë gjeneratave që vijnë.
Menjëherë pas vendosjes së gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë, bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe kolegët e mi nga VLEN-i, vizituam punimet për ndërtimin e Kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Brenda së njëjtës ditë, dy investime të mëdha bashkohen në një drejtim të qartë: dy rrugë drejt së ardhmes. Njëra na lidh me njëri-tjetrin, tjetra, përmes arsimit, na çon përpara.
E para është autostrada Shkup–Bllacë, që do ta afrojë Shkupin me Prishtinën dhe Maqedoninë e Veriut me Kosovën, duke hapur një arterie të re komunikimi, zhvillimi dhe bashkëpunimi. E dyta është rruga e dijes, që po ndërtohet këtu, në Shkup, përmes Kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, investimit më të madh deri më sot në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Dhe ka një domethënie të veçantë që këto dy rrugë takohen pikërisht sot, më 26 gusht, në ditëlindjen e Nënë Terezës. Në Shkupin e saj të lindjes, po ndërtojmë një universitet që mban emrin e saj dhe që nesër do të jetë shtëpi e dijes për gjenerata të tëra.
Këto nuk janë më premtime të shkruara në letër. Janë vepra që po ndërtohen dhe po marrin jetë para syve tanë. Janë fakte të një kohe të re, ku shqiptarët nuk presin zhvillimin, por janë pjesë e tij; nuk kërkojnë vetëm mundësi, por ndërtojnë institucione, infrastrukturë dhe perspektivë.
Nga rruga që na lidh me Kosovën, te universiteti që forcon dijen në gjuhën shqipe, po vendosim gurët e një të ardhmeje që do të mbetet shumë më gjatë se një mandat.

