Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit që në krye të një shkolle të mesme në Ulqin të emërohet një drejtor nga një komunë tjetër.
Gjeloshaj e konsideron këtë vendim si të papranueshëm dhe si një nënçmim të kuadrove profesionale të Ulqinit, duke theksuar se qyteti ka njerëz të arsimuar, të aftë dhe me përvojë që mund të drejtojnë institucionet e tij.
“Vendimi që drejtori i shkollës së mesme në Ulqin të sillet nga një komunë tjetër, sikur në vetë Ulqinin të mos ketë njerëz profesionistë, të arsimuar dhe të aftë, është një përpjekje e mjerë për të poshtëruar një qytet dhe qytetarët e tij”, shprehet Gjeloshaj.
Ai e ka cilësuar veçanërisht problematik faktin që në krye të një institucioni arsimor ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe të emërohet një person që nuk e flet shqipen.
“Kjo nuk është respektim i multietnicitetit, por provokim institucional dhe shprehje e albanofobisë. Në një institucion ku gjuha shqipe është pjesë e rëndësishme e procesit arsimor, respektimi i gjuhës dhe i komunitetit shqiptar duhet të jetë standard, jo përjashtim”, thekson Gjeloshaj.
Zëvendëskryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve të Ulqinit, prindërve, mësimdhënësve dhe të punësuarve në shkollë që të reagojnë dhe të mos pranojnë, siç shprehet ai, “këtë poshtërim”.
Gjeloshaj paralajmëron gjithashtu një përgjigje të qartë politike nga Forumi Shqiptar dhe u ka bërë thirrje të gjitha partive politike dhe organizatave shqiptare që të bashkohen përballë çdo përpjekjeje për diskriminimin dhe cenimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Këtu nuk ka vend për dallime partiake. Kur cenohen dinjiteti, gjuha dhe të drejtat tona, përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, demokratike dhe e vendosur”, ka deklaruar ai.
Në përfundim, Gjeloshaj thekson se institucionet duhet të jenë shembull i respektimit të barazisë dhe multietnicitetit, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për diskriminim mbi baza gjuhësore apo etnike do të kundërshtohet.
“Është koha që së bashku t’i japim fund shovinizmit dhe albanofobisë në institucione”, përfundon Gjeloshaj.
Ja postimi plotë:
Vendimi që drejtori i shkollës së mesme në Ulqin të sillet nga një komunë tjetër, sikur në vetë Ulqinin të mos ketë njerëz profesionistë, të arsimuar dhe të aftë, është një përpjekje e mjerë për të poshtëruar një qytet dhe qytetarët e tij.
Veçanërisht është e papranueshme që në krye të një shkolle, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, të emërohet një person që nuk e flet gjuhën shqipe. Kjo nuk është respektim i multietnicitetit, por provokim institucional dhe shprehje e albanofobisë.
I ftoj qytetarët e Ulqinit, prindërit, mësimdhënësit dhe të punësuarit në shkollë që ta ngrenë zërin dhe të mos e pranojnë këtë poshtërim.
Natyrisht, Forumi Shqiptar do të ketë një përgjigje të qartë dhe të fuqishme politike ndaj këtij shovinizmi. Njëkohësisht, i ftoj të gjitha partitë politike dhe organizatat shqiptare që të bashkohemi dhe t’i përgjigjemi së bashku çdo përpjekjeje për diskriminimin dhe poshtërimin e shqiptarëve.
Këtu nuk ka vend për dallime partiake. Kur cenohen dinjiteti, gjuha dhe të drejtat tona, përgjigjja duhet të jetë e përbashkët, demokratike dhe e vendosur.
Është koha që së bashku t’i japim fund shovinizmit dhe albanofobisë në institucione.
Në emër të çdo shqiptari
NGJ
