AKTUALE

Kryetari i Shoqatës “Malësia” në Kaliforni Sherif Kërniq: Zemra jonë gjithmonë e di rrugën për në Malësi

Kryetari i Shoqatës “Malësia” në Kaliforni, Sherif Kërniq, përshëndeti mbrëmjen kushtuar diasporës, të organizuar në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Tuz.

Në fjalën e tij, Kërniq përshëndeti Zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj, Ministrin Marash Dukaj, Kryetarin e Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, Sekretarin Fatmir Beqiraj, si dhe të gjithë bashkatdhetarët dhe të pranishmit.

Ai falënderoi Komunën e Tuzit për organizimin e kësaj mbrëmjeje dhe theksoi rëndësinë e takimeve të tilla për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes.

“Për ne që jetojmë larg, kthimi në vendlindje nuk është vetëm një udhëtim. Është kthim te familja dhe kujtimet, te gjuha dhe tradita, te rrënjët tona”, u shpreh Kërniq.

Duke folur në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës “Malësia” në Kaliforni, ai vlerësoi kontributin e bashkatdhetarëve që, edhe pse kanë ndërtuar jetën e tyre larg Malësisë, vazhdojnë të ruajnë gjuhën, traditat dhe lidhjet me vendlindjen.

Kërniq nënvizoi veçanërisht rëndësinë e përfshirjes së brezave të rinj të diasporës në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore.

“Diaspora dhe vendlindja janë pjesë e së njëjtës familje. Ne mund të jetojmë në Amerikë, në Evropë apo kudo tjetër në botë, por zemra jonë gjithmonë e di rrugën për në Malësi”, tha ai.

Në përfundim, Kërniq bëri thirrje që të ruhen dhe forcohen lidhjet me vendlindjen dhe që brezat e rinj, pavarësisht se ku jetojnë, të njohin gjuhën, historinë dhe kulturën e të parëve të tyre dhe të jenë krenarë për rrënjët e tyre.

Ja fjalimi plotë:

I nderuar Zëvendëskryeministër, z. Nik Gjeloshaj,
i nderuar Ministër, z. Marash Dukaj,
i nderuar Kryetar i Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj,
i nderuar Sekretar, z. Fatmir Beqiraj,
të nderuar bashkatdhetarë, të dashur miq,
zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë dhe nderin që, në emër të Shoqatës „Malësia“ nga Kalifornia dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes sonte këtu, në sheshin „Gjergj Kastrioti Skënderbeu“, në këtë mbrëmje kushtuar diasporës sonë.
Falënderoj Komunën e Tuzit për organizimin e kësaj mbrëmjeje dhe për mundësinë që, në këtë muaj kur shumë prej bashkatdhetarëve tanë kthehen pranë familjeve dhe në vendlindje, të takohemi, të bisedojmë dhe të ndajmë së bashku kujtime e përvoja.
Për ne që jetojmë larg, kthimi në vendlindje nuk është vetëm një udhëtim. Është kthim te familja dhe kujtimet, te gjuha dhe tradita, te rrënjët tona.
Diaspora jonë, në Amerikë, në Evropë apo kudo tjetër në botë, ka dëshmuar vazhdimisht lidhjen e saj të fortë me vendlindjen.
Si Kryetar i Shoqatës „Malësia“ nga Kalifornia, jam krenar për bashkatdhetarët tanë, të cilët, edhe pse kanë ndërtuar jetën dhe familjet e tyre larg vendlindjes, vazhdojnë të kontribuojnë, të ruajnë gjuhën dhe traditat tona dhe të mbajnë lidhje të forta me Tuzin dhe Malësinë.
Takimet si ky i sonte kanë një rëndësi të veçantë. Ato na kujtojnë se, pavarësisht se ku jetojmë, kemi një vend që na bashkon dhe një vendlindje që na lidh.
Nga ky shesh që mban emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, simbolit dhe krenarisë sonë kombëtare, dua të përcjell një porosi të thjeshtë:
Diaspora dhe vendlindja janë pjesë e së njëjtës familje.
Ne mund të jetojmë në Amerikë, në Evropë apo kudo tjetër në botë, por zemra jonë gjithmonë e di rrugën për në Malësi.
T’i ruajmë këto lidhje. T’i afrojmë të rinjtë tanë me vendlindjen. Të punojmë së bashku që ata, pavarësisht se ku lindin apo ku jetojnë, ta njohin gjuhën, historinë dhe kulturën e të parëve të tyre dhe të ndihen gjithmonë krenarë për rrënjët e tyre.
Ju falënderoj përzemërsisht për mikpritjen dhe për këtë mbrëmje të veçantë.
Ju uroj një mbrëmje të bukur dhe të paharrueshme!
Faleminderit!

Banner

Related posts

Izet Mexhiti me bashkëpunëtorë takon qytetarët e Vrapçishtit

admin

U përurua libri “Ato gdhendin dhimbjen”-15 rrëfime nënash zemërshpuara

admin

A duhet të agjërosh gjatë shtatzënisë?

admin