AKTUALE

GJELOSHAJ: INTEGRIMI EVROPIAN DUHET TË SJELLË ZHVILLIM DHE INVESTIME PËR SHQIPTARËT

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, mori pjesë në panelin “Integrimi i Malit të Zi në BE dhe Roli i Faktorit Shqiptar”, në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve në Prishtinë.

Duke folur për rolin e shqiptarëve në procesin e integrimit evropian të Malit të Zi, Gjeloshaj theksoi se përfaqësimi dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore kanë dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në avancimin e agjendës evropiane të vendit.

“Shqiptarët kanë dhënë një kontribut konkret në rrugën evropiane të Malit të Zi. Përmes përfaqësimit, vizionit dhe përgjegjësive institucionale, kemi qenë pjesë aktive e proceseve që kanë çuar drejt mbylljes së shumicës së kapitujve negociues me Bashkimin Evropian”, deklaroi Gjeloshaj.

Ai theksoi se procesi i integrimit evropian nuk duhet të shihet vetëm përmes numrit të kapitujve të mbyllur, por edhe përmes ndikimit konkret që ai sjell në jetën e qytetarëve.

“Evropa duhet të ndihet edhe në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Rozhajë, Tivar dhe në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët. Integrimi evropian duhet të përkthehet në investime, infrastrukturë më të mirë, vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik”, u shpreh ai.

Sipas Gjeloshajt, krahas avancimit të Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, prioritet mbetet krijimi i kushteve për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një shpërndarje më të barabartë të mundësive për zhvillim.

“Po punojmë me përkushtim që suksesin tonë në integrimet evropiane ta shoqërojmë me një lulëzim të fuqishëm ekonomik. Qëllimi ynë është që procesi evropian të sjellë më shumë mundësi, investime, vende pune dhe mirëqenie për qytetarët, në veçanti për trevat që për dekada kanë pasur nevojë për më shumë zhvillim dhe investime”, theksoi Gjeloshaj.

Ai vlerësoi se pjesëmarrja aktive e shqiptarëve në institucionet e Malit të Zi mbetet e rëndësishme jo vetëm për avancimin e të drejtave dhe përfaqësimit të tyre, por edhe për ndërtimin e një Mali të Zi më të zhvilluar, evropian dhe ekonomikisht më të qëndrueshëm.

Ja postimi plotë:

Kisha kënaqësinë të marr pjesë në panelin “Integrimi i Malit të Zi në BE dhe Roli i Faktorit Shqiptar”, në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve në Prishtinë.

Në panel theksova rolin konkret të shqiptarëve në rrugën evropiane të Malit të Zi. Përmes përfaqësimit, vizionit dhe përgjegjësive institucionale, shqiptarët kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në mbylljen e shumicës së kapitujve negociues me BE-në.

Por integrimi evropian nuk matet vetëm me kapituj të mbyllur. Evropa duhet të ndihet edhe në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Rozhajë, Tivar dhe në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, përmes investimeve, infrastrukturës, vendeve të reja të punës dhe zhvillimit ekonomik. Prandaj, po punojmë me përkushtim që suksesin tonë të madh në integrimet evropiane ta shoqërojmë me një lulëzim të fuqishëm ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm.

NGJ

Banner

Related posts

Ankohet kryeministri Xhaferi: Arsovska nuk po e kositë barin, oborri i qeverisë është bë si xhungël

Gjyla Halili

Abdixhiku: Zgjedhjet në degët e LDK-së në kryeqytet janë shenjë e një ndryshimi të madh që po vjen

admin

Kryeparlamentari Xhaferi flet para të pranishmëve në Konferencën vjetore të kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të BE

admin