AKTUALE

Blerim Bexheti: ‘Ky nuk është montazh, është politikë antishqiptare, Qeveria po i fshin shqiptarët nga historia!’”

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj videos promovuese të Qeverisë me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë së shtetit, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të lënë jashtë shqiptarët nga historia e vendit.
Bexheti thekson se i vetmi moment shqiptar në spot është paraqitja e golit historik të Artim Shaqirit kundër Anglisë.
“Sikur të mos ishte ai gol, shqiptarët nuk do të ekzistonin fare as në këtë version të montuar të historisë së shtetit”, ka deklaruar Bexheti.
Sipas tij, në video mungojnë figurat historike shqiptare, ngjarjet dhe kontributet politike, institucionale, kulturore e shoqërore të shqiptarëve, ndërsa mungon edhe gjuha shqipe.
“Kjo nuk është pakujdesi në montazh. Ky është pasqyrim i politikës së kësaj Qeverie ndaj shqiptarëve: për ta, shqiptarët nuk ekzistojnë”, ka thënë deputeti i BDI-së.
Bexheti ka kujtuar se shqiptarët përbëjnë mbi 30 për qind të popullsisë së regjistruar dhe se kanë qenë pjesë e zhvillimeve kryesore të vendit gjatë 35 viteve të pavarësisë.
Ai ka përmendur Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin në institucione dhe karakterin multietnik të shtetit si të arritura që, sipas tij, nuk mund të paraqiten si “dhurata të askujt”.
Në reagimin e tij, Bexheti ka kritikuar edhe koalicionin VLEN, duke e akuzuar për heshtje përballë, siç shprehet ai, politikave që dëmtojnë pozitën e shqiptarëve.
“Nëse VLEN-i nuk pyetet për asgjë, nuk vendos për asgjë dhe nuk mund të mbrojë as praninë e shqiptarëve në një video për historinë e shtetit, atëherë çfarë bën në Qeveri? Dekor?”, pyet Bexheti.
Ai e ka cilësuar pjesëmarrjen pa ndikim dhe pa zë në Qeveri si “vazalitet”, duke shtuar se heshtja për çështje të tilla nuk mund të konsiderohet përfaqësim politik.
“Shqiptarët nuk janë mysafirë, fusnotë apo inekzistentë. Një spot që i fshin shqiptarët nuk e feston historinë e shtetit – e falsifikon atë”, përfundon Bexheti.

Ja postimi plotë:

35 VJET PAVARËSI – NJË SPOT SHTETËROR PA SHQIPTARË!

I vetmi moment shqiptar në videon promovuese të Qeverisë për 35-vjetorin e pavarësisë është goli historik i Artim Shaqirit kundër Anglisë.

Ironikisht, sikur të mos ishte ai gol, shqiptarët nuk do të ekzistonin fare as në këtë version të montuar të historisë së shtetit!

Asnjë figurë historike. Asnjë ngjarje. Asnjë kontribut politik, institucional, kulturor apo shoqëror. Madje, asnjë fjalë në gjuhën shqipe!

Sikur ne, shqiptarët, të mos kemi ekzistuar gjatë këtyre 35 viteve dhe të mos jetojmë brez pas brezi në këto troje.

Kjo nuk është pakujdesi në montazh. Jo, assesi nuk është. Ky është pasqyrim i plotë i politikës së kësaj Qeverie ndaj shqiptarëve: për ta, shqiptarët nuk ekzistojnë!

Qeveria ka vendosur se çfarë duhet të hyjë në historinë zyrtare të shtetit dhe, më e rëndësishmja, kush duhet të fshihet nga ajo!

Kanë tentuar të lënë jashtë mbi 600 mijë shqiptarë, mbi 30% të popullsisë së përgjithshme të regjistruar. Por shqiptarët janë këtu dhe nuk mund të fshihen me një video, sado e madhe të jetë kjo dëshirë e juaja!

Shqiptarët kanë qenë pjesë e çdo zhvillimi të rëndësishëm politik, ekonomik, institucional, sportiv dhe shoqëror. Marrëveshja Kornizë e Ohrit, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, përfaqësimi në institucione dhe karakteri multietnik i shtetit nuk janë dhurata të askujt.

Kjo Qeveri po ndjek një drejtim të qartë politik: fillimisht sulmohet gjuha shqipe, pastaj shfuqizohet “balancuesi” pa u vendosur një mekanizëm efektiv për përfaqësim të drejtë, zvogëlohet pesha e përfaqësimit shqiptar dhe tani tentohet që shqiptarët të fshihen edhe nga historia zyrtare e shtetit.

Kur përjashtimi përsëritet në gjuhë, institucione, tabela dhe histori, ai nuk është më rastësi. Është politikë. Dhe kjo është politikë antishqiptare.

Ndërsa VLEN-i hesht!

Për VLEN-in e dimë se nuk është pyetur për asgjë, e aq më pak për përmbajtjen e spotit. Por, nëse nuk pyetet për asgjë, nuk vendos për asgjë dhe nuk mund të mbrojë as praninë e shqiptarëve në një video për historinë e shtetit, atëherë çfarë bën në Qeveri? Dekor?

VLEN-i nuk është më vetëm i pafuqishëm. Me heshtjen e tij po bëhet mbulesa dhe justifikimi shqiptar i politikës antishqiptare të kësaj Qeverie.

Heshtja nuk është politikë. Është pajtim dhe miratim.

Pjesëmarrja në Qeveri pa zë, pa ndikim dhe pa guxim nuk është përfaqësim. Është vazalitet.

Shqiptarët nuk janë mysafirë, fusnotë apo inekzistentë. Një spot që i fshin shqiptarët nuk e feston historinë e shtetit – e falsifikon atë.

Banner

Related posts

Arrestohet një person në Bërnjak, gjatë kontrollit në dokumente vendosi 50 euro

Gjyla Halili

Për 50 vjetorin e karrierës, Shkurte Fejza do të mbajë dy koncerte recitale

Gjyla Halili

ZGJEDHJET / Matematikat e partisë, nuk po përputhen me hesapet e Çarshisë

Gjyla Halili