AKTUALE

Nik Gjeloshaj: Të jesh shqiptar nuk është kërcënim, por krenari

Zv.kryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka publikuar një tekst me titull “Manual për trajtimin e albanofobisë”, përmes të cilit synon të nxisë reflektim mbi paragjykimet ndaj shqiptarëve në Mal të Zi dhe rëndësinë e respektimit të identitetit kombëtar.

Teksti është ndërtuar në mënyrë simbolike, duke përdorur termat “diagnozë”, “simptoma”, “terapi” dhe “prognozë”. Në të përshkruhen si shenja të albanofobisë reagimet negative ndaj përdorimit të emërtimit “shqiptar”, flamurit shqiptar apo theksimit të identitetit shqiptar, si dhe prirja për ta politizuar identitetin e komunitetit shqiptar.

Në pjesën e quajtur “terapi”, Gjeloshaj rendit dhjetë hapa që, sipas tij, ndihmojnë në tejkalimin e paragjykimeve. Mes tyre janë njohja dhe komunikimi me shqiptarët, vizita në komunat me shumicë shqiptare, mësimi i disa fjalëve në gjuhën shqipe, njohja me historinë e shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe verifikimi i fakteve para se të besohen paragjykimet.

Në fund të tekstit thuhet se nuk ekziston asnjë provë shkencore që fjala “shqiptar” ose flamuri shqiptar cenojnë të drejtat e kujtdo. Përkundrazi, sipas mesazhit, respektimi i identitetit të të gjitha komuniteteve e forcon Malin e Zi si shtet qytetar dhe evropian.

Publikimi i këtij materiali vjen në një kohë kur debati publik për identitetin, të drejtat e komuniteteve dhe bashkëjetesën në Mal të Zi vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve politike dhe shoqërore.

Ja postimi i plotë:

Manual për “trajtimin” e albanofobisë
“Diagnoza”
“Albanofobia” njihet më së shpeshti nga bezdisja ndaj fjalës “shqiptar”, flamurit shqiptar ose theksimit të identitetit shqiptar, duke e lidhur çdo gjë me shtetin e Shqipërisë, në vend që ta shohë si pjesë të identitetit të popullit autokton shqiptar në Mal të Zi.
“Simptomat” më të zakonshme
Shqetësim kur thuhet “qytet shqiptar” ose “komunë shqiptare”.
Reagim negativ ndaj shfaqjes së flamurit shqiptar, edhe pse përdorimi i tij lejohet në përputhje me ligjet e Malit të Zi.
Injorimi i faktit se shqiptarët janë popull autokton në Mal të Zi.
Lexim selektiv: shihet vetëm një fjalë, jo i gjithë mesazhi.
Shndërrimi i identitetit në problem politik.
Bindja se çdo theksim i identitetit shqiptar është kërcënim për shtetin qytetar.
“Terapia”
Takoni një shqiptar.
Bisedoni me të para se të nxirrni përfundime.
Vizitoni Tuzin, Ulqinin, Plavën ose Gucinë.
Mësoni disa fjalë në gjuhën shqipe.
Lexoni diçka për historinë e shqiptarëve në Mal të Zi.
Mësoni se termat “shqiptar”, “shqiptarë” dhe “flamuri shqiptar” përfaqësojnë identitetin e komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe se përdorimi i tyre mbrohet nga Kushtetuta dhe ligjet e Malit të Zi, e nuk është shprehje e përkatësisë ndaj një shteti tjetër.
Dalloni kritikën politike nga sfidimi i identitetit. Një sulm ndaj përfaqësuesve legjitimë politikë të shqiptarëve shpesh është një sulm ndaj shqiptarëve që ata përfaqësojnë.
Verifikoni faktet para se t’u besoni paragjykimeve.
Kujtojini vetes se shteti qytetar mbron të drejtën e secilit për ta ruajtur dhe shprehur me krenari identitetin e vet.
Përsëriteni çdo ditë: “Diversiteti nuk është kërcënim. Ai është një pasuri.”
“Prognoza”
Te shumica e “pacientëve” vërehet përmirësim i dukshëm pas takimeve të sinqerta me njerëz, bisedave të hapura dhe heqjes dorë nga paragjykimet. “Terapia” e suksesshme sjell më shumë respekt të ndërsjellë, më pak frikë dhe më shumë besim.
“Kujtesë”
Nuk ka asnjë provë shkencore që fjala “shqiptar” ose flamuri shqiptar cenojnë të drejtat e kujtdo. Përkundrazi, respektimi i identitetit të të gjitha kombeve e forcon Malin e Zi qytetar dhe evropian.
NGJ

Banner

Related posts

Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Maqedoni do të mbahet nga 18 prilli deri më 6 maj

Gjyla Halili

Agim Aliu: Ali Ahmeti është figurë e madhe kombëtare dhe lider me përmasa gjithëshqiptare

Gjyla Halili

Rreth 1 muaj para zgjedhjeve, ambasadoret Kim dhe Hohmann në KQZ, takohen me Celibashin

admin