Në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së dhe Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, përgjegjësi për Botën Turke Dr. Furkan Shaban, mori pjesë në “Seminarin e 5-të Veror Maveraunnehir”, të organizuar nga Instituti i Mendimit Islam dhe Universiteti Ndërkombëtar Islam, Shkencë dhe Teknologji i Turqisë.
Seminari mblodhi rreth tridhjetë akademikë dhe studiues nga Turkistani dhe Ballkani dhe u zhvillua në Ankara, Konja, Bursa dhe Stamboll. Gjatë programit u trajtuan tema të ndryshme që lidhen me mendimin islam, edukimin fetar, qytetërimin islam dhe sfidat bashkëkohore me të cilat përballet bota islame.
Pjesa e parë e seminarit u mbajt në Ankara, ku pjesëmarrësit ndoqën ligjërata nga personalitete të shquara akademike, si Prof. Dr. Mehmet Görmez, Prof. Dr. Bünyamin Erul, Prof. Dr. Abdurrahman Haçkalı, Prof. Dr. Ekrem Keleş dhe Prof. Dr. Mehmet Emin Özafşar. Gjithashtu, pjesëmarrësit prezantuan gjendjen e myslimanëve dhe funksionimin e institucioneve fetare në vendet e tyre.
Në kuadër të programit u realizuan vizita në Kryesinë e Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Fondacionin Diyanet të Turqisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve dhe Presidencën për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike (YTB). Po ashtu, u vizituan Fakultetet e Teologjisë të universiteteve të Ankarasë, Hacı Bayram Veli, Yıldırım Beyazıt dhe Universitetit të Shkencave Sociale të Ankarasë. Programi përfshiu edhe vizita në monumente me rëndësi historike dhe kulturore në Ankara, Konja dhe Bursa.
Etapa përmbyllëse e seminarit u zhvillua në Stamboll, nën mikpritjen e Universitetit Ndërkombëtar Islam, Shkencë dhe Teknologji të Turqisë. Programi fillonte me faljen e namazit të sabahut në një bga xhamitë historike si Aja Sofja, Sultanahmet, Eyüp Sultan dhe Sulejmanije, ndërsa më pas vijonin ligjëratat dhe aktivitetet akademike në universitet.
Në këtë pjesë të seminarit ligjëruan profesorë dhe studiues të njohur ndërkombëtarisht, si Prof. Dr. Mehmet Görmez, Prof. Dr. Mehmet Paçacı, Prof. Dr. Salih Kesgin, Doç. Dr. Oğuzhan Tan, Prof. Dr. Alim Arlı, Prof. Dr. Mahmut Erol Kılıç, Prof. Dr. Muhammed Muhtar Esh-Shankiti, Prof. Dr. Ümit Meriç, Dr. Isam Al Bashir, Prof. Dr. Ömer Türker, Dr. Naoki Yamamoto, Prof. Dr. Ekrem Demirli dhe Prof. Dr. Sadettin Ökten, të cilët ndanë përvojën dhe dijen e tyre me pjesëmarrësit.
Ky seminar shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional, si dhe për thellimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve islame të vendeve pjesëmarrëse. Me këtë rast, në emër të Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisu-l-Ulema Hfz. Shaqir ef. Fetai, Dr. Furkan Shaban ia dorëzoi Prof. Dr. Mehmet Görmezit një dhuratë simbolike në shenjë respekti dhe mirënjohjeje. Programi u përmbyll me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit dhe realizimin e fotografisë së përbashkët.
