Shkruan: Ahmed Qazimi
Vëllezër e motra,
Të dashur bashkëmendimtarë dhe ju të respektuar kundërshtarë politikë,
Debati ynë politik mund të jetë i ashpër. Do të na kritikoni e do t’ju kritikojmë. Do të na akuzoni e do t’ju kundërpërgjigjemi me fakte. Do të ju akuzojmë e do të na përgjigjeni me fakte. Do të protestojmë e do të protestoni. Herë do të fitoni ju, herë do të fitojmë ne. Kjo është demokracia.
Ajo që nuk duhet të lejojmë kurrë është që beteja politike të shndërrohet në urrejtje personale, në gjuhë të dhunës apo në kërcënime ndaj familjeve. Askush nuk ka të drejtë ta prekë dinjitetin e tjetrit, e aq më pak të përmendë fëmijët, bashkëshortët apo prindërit në përplasjet politike.
Në fund të ditës, ne jemi qytetarë të të njëjtit vend. Jemi vëllezër e motra, jemi nipa e dajallarë, jemi miq, fqinjë e kolegë. Nesër do të takohemi në të njëjtat rrugë, në të njëjtat kafene, në shtëpinë tënde e timen, në të njëjtat ahengje e morte, në të njëjtat shkolla ku rriten fëmijët tanë…
Prandaj, ta ruajmë fjalën, ta ruajmë respektin dhe ta mbrojmë njerëzoren edhe kur nuk pajtohemi.
Respekt për secilin.
Beteja politike për kauzën që besojmë vazhdon, me vendosmëri, me argumente dhe me dinjitet. Kështu fitojnë qytetarët, kështu fiton demokracia.
