AKTUALE

Ahmeti dënon deklaratën e ministres serbe: Deklaratat që glorifikojnë spastrimin etnik janë të papranueshme dhe të rrezikshme për paqen në rajon

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dënon ashpër deklaratën e ministres së Serbisë, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.

“Një deklaratë e tillë është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme. Ajo nuk përbën vetëm një fyerje të rëndë për viktimat e luftës dhe familjet e tyre, por edhe një përpjekje për të normalizuar një politikë kriminale që solli vuajtje të pallogaritshme në Kosovë dhe në mbarë rajonin,” theksoi Ahmeti.

Sipas tij, të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, pas të gjitha krimeve të dokumentuara, masakrave, varrezave masive dhe mijëra viktimave civile, është dëshmi e një mendësie që nuk ka shkëputur lidhjet me të kaluarën dhe që bie ndesh me vlerat demokratike dhe evropiane.

Ahmeti nënvizoi se historia e ka dhënë tashmë verdiktin e saj. Përballë politikave të regjimit të Millosheviqit u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve ndërkombëtarë, duke sjellë lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon pa pranimin e së vërtetës, pa respektimin e viktimave dhe pa distancim të qartë nga ideologjitë që promovuan luftëra, spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit. Ata që edhe sot glorifikojnë ose ëndërrojnë politika të tilla duhet ta dinë se historia gjithmonë i dënon ideologjitë e urrejtjes, ndërsa liria, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor triumfojnë,” përfundoi Ahmeti.

Ja postimi plotë:

Deklarata e ministres së Serbisë, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme. Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij.

Të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, kur bota ka parë fëmijë të vrarë, masakra mbi civilë të pafajshëm, varreza masive dhe dëshmi të panumërta të krimeve të kryera në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane. Mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI.

Por historia e ka dhënë përgjigjen e saj. Pikërisht përballë këtij mentaliteti kriminal u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë.

Banner

Related posts

Bashkëkombasit nga Detroiti me zemër të madhe si “Nënë Tereza”, mbledhin gati 400 mijë dollar për Kishën në Malin e Kakariqit

Gjyla Halili

Me një rrëfim emocional ish ushtari Uçk-së Frashër Oseku përkujton përvjetorin e betejës së Koshares

Gjyla Halili

Drejtori i Teatrit të Gostivarit, Sulejman Rushiti angazhon me kontratë djalin e tij (Dokument)

Gjyla Halili