Kryetari i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar lidhur me zhvillimet në seancën e Këshillit Komunal për propozim-vendimin për emërtimin dhe riemërtimin e 67 rrugëve dhe të Sheshit të Tetovës.
Rexhepi theksoi se këshilltarët e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët kërkuan që kjo pikë të vendosej e para në rendin e ditës, me qëllim që çështja të shqyrtohej dhe të votohej pa vonesa. Sipas tij, mospranimi i kësaj kërkese tregon përpjekje të qëllimshme që propozimi të mos arrijë në votim.
“Qëllimi është i qartë: të pengohet votimi i propozimit dhe më pas, përmes pazareve politike, të ndryshohet vullneti i qytetarëve të Tetovës. Ne nuk do të pranojmë kompromise kur bëhet fjalë për dinjitetin, historinë dhe identitetin e Tetovës”, deklaroi Rexhepi.
Ai vlerësoi se Këshilli Komunal duhet të jetë institucion që zgjidh problemet e qytetarëve dhe jo të thellojë krizën politike. Rexhepi kritikoi edhe drejtimin e Komunës së Tetovës, duke kërkuar përgjegjësi politike nga kryetari i komunës për, siç u shpreh ai, paaftësinë në menaxhimin e problemeve të qytetit.
Në fund, ai ritheksoi se BDI do të vazhdojë të mbrojë vullnetin e qytetarëve dhe procesin e emërtimit të rrugëve në përputhje me interesin e Tetovës.
#HistoriaNukAbrogohet #EdheRrugëtFlasinShqip
Ja postimi plotë:
Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Aleancës për Shqiptarët, janë mbrojtësit e dinjitetit, interesit qytetar dhe vullnetit të qytetarëve të Tetovës.
👉Kërkesa jonë ishte e qartë. Propozim-vendimi për emërtimin dhe riemërtimin e 67 rrugëve dhe të Sheshit të Tetovës të vendosej si PIKË E PARË e rendit të ditës.
Kjo kërkesë si e tillë nuk u pranua❗️
Qëllimi është i qartë, seanca e sotme të lihet në gjysëm, propozimi ynë të mos vijë deri në votim, që nesër, në seancën e dytë të Komisionit për emërtimin e rrugëve, VMRO-VLEN t’i vendosin pazaret e tyre politike mbi vullnetin e “shfuqizuar” të qytetarëve të Tetovës.
Ne nuk pranojmë kompromise dhe pazare kur bëhet fjalë për Tetovën, dinjitetin, historinë dhe identitetin tonë!
Këshilli komunal i Tetovës duhet ta zgjidh problemin e krijuar jo të shpërbëhet. Duhet të “shpërbëhet” mentaliteti Titist në komunën e Tetovës dhe kryetari i komunës së Tetovës të japë dorëheqje, për shkak të paaftësisë për të zgjidhur problemet e qytetit.
#HistoriaNukAbrogohet
#EdheRrugëtFlasinShqip
