Me nderim dhe dhimbje të thellë, sot përkujtohet 11 Korriku – Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, një nga tragjeditë më të rënda humanitare në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në korrik të vitit 1995, mbi 8.000 persona boshnjakë u vranë në mënyrë mizore në Srebrenicë. Kjo ngjarje mbetet një plagë e rëndë në kujtesën e njerëzimit dhe një kujtesë e përhershme për pasojat shkatërruese të urrejtjes dhe intolerancës.
Me këtë rast, Shoqata “Jehona e Malësisë” ka shprehur respektin e saj të thellë për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre, të cilat vazhdojnë të përballen me dhimbjen e humbjeve të mëdha.
“Kujtesa për Srebrenicën është një detyrim moral për të gjithë ne, që e vërteta të mos harrohet dhe krime të tilla të mos përsëriten kurrë”, thuhet në mesazhin e kësaj shoqate.
Nga “Jehona e Malësisë” u bë thirrje për paqe, drejtësi, respekt për dinjitetin njerëzor dhe bashkëjetesë mes popujve, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër urrejtjes, diskriminimit dhe çdo forme dhune.
“Lavdi dhe kujtim i përjetshëm për viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës”, thuhet në mesazhin e nënshkruar nga kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Zef Berishaj.
Ja postimi plotë:
Sot, me nderim dhe dhimbje të thellë, përkujtojmë 11 Korrikun – Ditën e Gjenocidit të Srebrenicës, ku mbi 8,000 persona boshnjakë u vranë mizorisht në korrik të vitit 1995, në një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Shoqata “Jehona e Malësisë” përkulet me respekt para kujtimit të viktimave të pafajshme dhe shpreh solidaritetin e saj me familjet që vazhdojnë të mbajnë plagët e kësaj tragjedie. Kujtesa për Srebrenicën është një detyrim moral për të gjithë ne, që e vërteta të mos harrohet dhe krime të tilla të mos përsëriten kurrë.
Le të shërbejë kjo ditë si një thirrje për paqe, drejtësi, respekt për dinjitetin njerëzor dhe bashkëjetesë mes popujve. Duke kujtuar viktimat, ne forcojmë angazhimin tonë kundër urrejtjes, diskriminimit dhe çdo forme dhune.
Lavdi dhe kujtim i përjetshëm për viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës.
Kryetar i shoqatës “Jehona e Malësisë”,
Zef Berishaj
