Agjencioni për Hallall Standard pranë Bashkësisë Fetare Islame realizoi sot auditimin periodik në kompaninë “Buçen Kozjak” – Kumanovë, pas të cilit u konfirmua vazhdimi i vlefshmërisë së Certifikatës Hallall.
Auditimi u zhvillua në përputhje me procedurat dhe kërkesat e Hallall Standardit.
Në komisionin e auditimit, Drejtori i Agjencionit për Hallall Standard, Driton Dikena, u shoqërua nga Mafiz Rustemi, Drejtor për Diasporë në Bashkësinë Fetare Islame.
DPUT “Buçen Kozjak”, e themeluar në vitin 1983, është një nga kompanitë më të njohura të industrisë së qumështit në Maqedoninë e Veriut. Me kapacitet për përpunimin e rreth 50.000 litrave qumësht në ditë, bashkëpunim me 700–800 fermerë vendas, mbi 110 të punësuar dhe një rrjet të zhvilluar distribucioni në të gjithë vendin, kompania përfaqëson një shembull të rëndësishëm të prodhimit vendor dhe të bashkëpunimit afatgjatë me sektorin bujqësor.
Nga Agjencioni për Hallall Standard u theksua se vazhdimi i certifikimit dëshmon përkushtimin e kompanisë ndaj cilësisë, sigurisë ushqimore dhe respektimit të kërkesave të Hallall Standardit.
Hallall Standard mbetet një garanci e besueshmërisë për konsumatorët dhe një vlerë e shtuar për kompanitë që synojnë të forcojnë pozitën e tyre në tregun vendor dhe në tregjet ndërkombëtare.
Vizitë në Xhaminë e Bardhë në fshatin Nikushtak
Në kuadër të vizitës në rajonin e Kumanovës, Drejtori për Diasporë i Bashkësisë Fetare Islame, Mafiz Rustemi, dhe Drejtori i Agjencionit për Hallall Standard, Driton Dikena, vizituan Xhaminë e Bardhë në fshatin Nikushtak.
Me këtë rast, Drejtori për Diasporë, Mafiz Rustemi, mbajti hutben e xhumasë dhe udhëhoqi faljen e namazit, ndërsa në emër të Reisul-Ulemasë së Bashkësisë Fetare Islame, Hfz. H. Shaqir ef. Fetahut, përcolli përshëndetjet dhe urimet për besimtarët e pranishëm.
Në fjalën e tij, Rustemi theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit, lidhjes së vazhdueshme me xhaminë dhe kultivimit të vlerave islame në familje dhe shoqëri.
Imami dhe xhemati i Xhamisë së Bardhë shprehën mirënjohjen për këtë vizitë, duke vlerësuar praninë e dy drejtorëve të Rijasetit si një dëshmi të kujdesit dhe afërsisë së Bashkësisë Fetare Islame me xhematet në terren.



