OJQ “LABEATËT”, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Tuzit, organizoi shtegtimin tradicional në Greçë, duke promovuar trashëgiminë historike të Memorandumit të Greçës dhe pasuritë natyrore të Kanionit të Cemit.
Shkruar nga Luigj Camaj dhe Alen Gjokaj
Në vazhdën e realizimit të aktiviteteve të saj tradicionale, OJQ “LABEATËT”, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Tuzit, më 21 qershor 2026, organizoi shtegtimin tradicional në Greçë. Ky aktivitet kishte për qëllim njohjen, promovimin dhe ruajtjen e vlerave historike, kulturore dhe natyrore të kësaj treve me rëndësi të veçantë për Malësinë dhe historinë kombëtare.
Shtegtimi në Greçë ishte një përkujtim i denjë i ngjarjeve të rëndësishme historike të vitit 1911, kur në këtë vend u mbajt Kuvendi i Greçës dhe u hartua Memorandumi i Greçës, një nga dokumentet më të rëndësishme politike të kohës, që hodhi themelet e kërkesave për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Krahas dimensionit historik, aktiviteti synoi edhe promovimin e bukurive natyrore të Lugut të Greçës, duke i dhënë shtegtimit një karakter edukativ, kulturor dhe turistik.
Në këtë aktivitet morën pjesë 37 persona. Përveç anëtarëve të OJQ “LABEATËT”, pjesëmarrës ishin edhe stafi i Organizatës Turistike të Tuzit, si dhe anëtarë të Klubit të Bjeshkatarisë “LIPOJA” nga Ulqini.
Pjesëmarrësit në ekspeditën historiko-turistike ishin: Luigj Camaj, Alen Gjokaj, Anton Lulgjuraj, Nikollë Gegaj, Prenkë Ivezaj, Gani Ceka, Rrok Gjokaj, Petrit Gjokaj, Marash Kalaj, Gjon Nicaj, Marjan Lulgjuraj, Alban Dedvukaj, Kristjan Bojaj, Mikail Bogdani, Gjeto Ulaj, Shtjefën Ivanaj, Mario Bojaj, Pjetro Dushaj, Makson Gojçaj, Togo Gojçaj, Nua Dushaj, Tom Ivezaj, Ilirjan Dedvukaj, Husein Palaj, Linda Camaj, Lubo Lucaj, Lindon Dedvukaj, Martina Dedvukaj, Linda Dedvukaj, Martin Dedvukaj, Martin Vulaj, Rilind Dedvukaj, Albert Dedvukaj, Nevila Nikaj, Linda Sinishtaj dhe Viktor Dedvukaj.
Udhëheqës i shtegtimit ishte Anton Lulgjuraj. Interpretimin e veçorive gjeografike, historike dhe natyrore të zonës e bëri Luigj Camaj.
Gjatësia e përgjithshme e itinerarit ishte rreth 13 kilometra. Rruga nga Lugu i Koritës drejt Greçës kalon nëpër një terren të larmishëm malor, ku ndërthuren bukuritë natyrore me gjurmët e historisë. Përgjatë ecjes pjesëmarrësit patën mundësi të njiheshin me vende karakteristike si Kodra e Muzheçkut, Maja e Sokolit, Gropa e Zezë, Lugu i Prosekut, Pusi i Kalbtë, Gropa e Harushës dhe shumë pika të tjera me vlera natyrore e historike.
Ekspedita vazhdoi nëpër hijen e ahishtave shekullore, dëshmitare të gjalla të historisë së kësaj treve. Trupat e mëdhenj të ahut, që dikur mezi përqafoheshin nga dy burra, vazhdojnë të qëndrojnë krenarë si monumente të gjalla të natyrës. Më tej shtegtarët kaluan pranë vendbanimit të Luk Toms Nikprelajt, një prej figurave të njohura të zonës, ndërsa në anën e majtë qëndronte madhështore Maja e Kujit.
Në Greçë, pjesëmarrësit u njohën më nga afër me rëndësinë historike të këtij vendi. Mbi historikun e Greçës foli Anton Lulgjuraj, duke rikujtuar ngjarjet që e bënë këtë vend simbol të qëndresës dhe vetëdijes kombëtare.
Pas kësaj, grupi vizitoi Kronin e Greçës, ku shtegtarët u freskuan me ujin e ftohtë malor dhe pushuan për pak çaste. Vizita vazhdoi drejt Kanionit të Cemit, një prej mrekullive natyrore më të veçanta të Malësisë. Nga buzët e kanionit pjesëmarrësit shijuan panorama mbresëlënëse, ku natyra ka krijuar peizazhe të rralla dhe spektakolare.
Kanioni i Cemit është një pasuri natyrore me vlera të jashtëzakonshme gjeologjike, ekologjike dhe turistike. Biodiversiteti dhe gjeodiversiteti i tij përbëjnë një harmoni të rrallë natyrore që vështirë gjendet në hapësira të tjera të rajonit. Buzët vertikale të kanionit ngrihen në lartësi prej 1100 deri në 1200 metra mbi nivelin e detit, duke krijuar pamje mahnitëse që lënë mbresa të pashlyeshme te çdo vizitor.
Nga kjo pikë mund të shihen qartë shumë prej vendeve karakteristike të zonës, si Bregu i Galë (Gala Smajlajve), Lugu i Dulë (Dulajve), Lugu i Kol Dokë (Kol Dokajve), Gropa e Carë (Carajve), Kroni i Greçës, Kroni i Krenit, Dritat e Greçës, Maja e Lerthit, Mregu dhe shumë lokalitete të tjera që përbëjnë mozaikun natyror dhe kulturor të Malësisë.
Me këtë shtegtim, OJQ “LABEATËT”, me mbështetjen e Organizatës Turistike të Tuzit, vazhdoi traditën e organizimit të aktiviteteve në Greçë, me shpresën që në vitet e ardhshme kjo nismë të tërheqë edhe më shumë pjesëmarrës dhe dashamirë të natyrës, historisë dhe kulturës.
Mbreteria e hijeve të freskëta të ahishtave dhe pyjeve me pisha që shtrihen në Lugun e Greçës mbetet ndër pasuritë më të çmuara të kësaj zone. Ajri i pastër, qetësia e maleve, aroma e luleve dhe gjelbërimi i pakufishëm krijojnë një atmosferë të veçantë, ku çdo vizitor ndien lidhjen e fortë me natyrën dhe trashëgiminë e vendit.
Nga kreshtat malore të Bjeshkëve të Kelmendit shpalosen pamje madhështore që të lënë pa frymë. Këto peizazhe, të soditura nga lartësitë e shqiponjave, ngjallin emocione të veçanta dhe mbeten gjatë në kujtesën e çdo shtegtari. Sikur vetë natyra të ftonte me fjalët e saj të heshtura: “Ejani përsëri, ju presim!”
“Grand Canyon” i Malësisë, Kanioni i Cemit, së bashku me ahishtat, pyjet dhe majat krenare të maleve tona, dëshmojnë për pasurinë e jashtëzakonshme natyrore që na është lënë trashëgim nga brezat e mëparshëm. Këto bukuri, të përshkruara me admirim nga shumë vizitorë vendas e të huaj, meritojnë të ruhen, të promovohen dhe të vizitohen edhe më shumë.
Këto janë vetëm disa nga përshtypjet dhe kujtimet e një dite të kaluar në Greçën historike. Fotografitë e “CeNo Rrogathi” Husein (Ceno) Palaj dhe përjetimet e pjesëmarrësve flasin edhe më shumë sesa mund të përshkruajnë fjalët.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti, si dhe lexuesit që i kushtuan kohë këtij rrëfimi modest për një nga viset më të bukura dhe më domethënëse të Malësisë.
