Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ishte sot i ftuar për drekë në familjen e Heroit të Kombit Rexhep Malaj, me ftesë të vëllait të tij, Hasan Malaj.
Gjatë vizitës, Ahmeti shprehu respektin dhe mirënjohjen e tij për familjen Malaj, duke e cilësuar atë si një familje me kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e luftës për liri dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Me këtë rast, Ali Ahmeti i dorëzoi Hasan Malajt një portret të Heroit të Kombit Rexhep Malaj, figurë emblematike e lëvizjes kombëtare shqiptare, veprimtaria dhe sakrifica e të cilit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë më të re të shqiptarëve.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ahmeti theksoi se veprimtaria revolucionare, organizimi politik dhe angazhimi atdhetar i Rexhep Malajt përbëjnë një nga themelet mbi të cilat u ngrit më vonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Rexhep Malaj ishte një ndër udhëheqësit më të shquar të lëvizjes sonë kombëtare. Rënia e tij heroike përbënte një humbje të madhe për organizimin çlirimtar të asaj kohe, por njëkohësisht u shndërrua në frymëzim të pashtershëm për brezat që vazhduan rrugën drejt lirisë dhe çlirimit të Kosovës”, u shpreh Ahmeti.
Në fund të takimit, ai falënderoi Hasan Malajn dhe familjen Malaj për mikpritjen, bujarinë dhe respektin e treguar.
Vizita u karakterizua nga emocione, kujtime dhe nderim për një familje që i dha kombit shqiptar një nga figurat më të ndritura të historisë së tij moderne.
Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit Rexhep Malaj!
Ja postimi plotë:
SOT NË SOFRËN E FAMILJES SË HEROIT TË KOMBIT REXHEP MALAJ
Sot isha i ftuar për drekë në Gjilan, në familjen e Heroit të Kombit Rexhep Malaj, nga vëllai i tij, Hasan Malaj.
Isha i nderuar dhe i privilegjuar të jem në sofrën e kësaj familjeje të madhe atdhetare e patriotike, e cila me sakrificën, qëndresën dhe kontributin e saj ka zënë vend të përhershëm në historinë më të lavdishme të luftës per liri të kombit shqiptar.
Me emocione të veçanta dhe respekt të thellë, ia dorëzova Xha Hasanit portretin e Udhëheqësit tim, Heroit të Kombit Rexhep Malaj, njeriut që me veprën, vizionin dhe guximin e tij frymëzoi breza të tërë luftëtarësh e veprimtarësh të lirisë.
Në përshëndetjen time para të pranishmëve, ndër të tjera theksova se veprimtaria revolucionare, aktiviteti atdhetar dhe organizimi politik ilegal i Heroit të Kombit Rexhep Malaj janë ne themelet mbi të cilat u ngrit më vonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Rexhep Malaj ishte udhëheqësi ynë.
Ishte komandanti ynë.
Me rënien e tyre heroike, pësuam një humbje të madhe ne lëvizjen kombëtare shqiptare.
Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për organizimin ushtarak e çlirimtar të Kosovës në atë kohë, por njëkohësisht u shndërrua në frymëzim të pashtershëm për vazhdimin e rrugës së lirisë deri në çlirimin e vendit bga zgjedha serbe
Në fund, e falënderova përzemërsisht vëllanë e Heroit të Kombit Rexhep Malaj, Xha Hasanin, për mikpritjen e madhe, bujarinë dhe ngrohtësinë njerëzore që na e kishte rezervuar.
Ishte një ditë emocionesh, kujtimesh dhe nderimi për një familje që i dha kombit shqiptar një nga figurat më të ndritura të historisë sonë më të re.
Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit Rexhep Malaj!















