Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, pritet të jetë emri i parë që do të largohet nga kabineti qeveritar në kuadër të rikonstruimit të paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, mësohet nga burime politike.
Nga Qeveria konfirmojnë se procesi i rikonstruimit tashmë ka nisur dhe po zhvillohet përmes bisedimeve me partnerët e koalicionit. Gjatë ditës së sotme dhe nesër janë planifikuar takime me partitë ZNAM dhe VLEN, ku pritet të diskutohen ndryshimet në përbërjen e ekzekutivit.
“Duke pasur parasysh se bisedimet janë në një fazë të hershme dhe bëhet fjalë për një proces të ndjeshëm që kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme, nuk do të hyjmë në detaje shtesë në këtë moment. Sapo të arrihen marrëveshje konkrete, opinioni do të informohet në kohë dhe në mënyrë të plotë”, njoftojnë nga Qeveria.
Në të njëjtën kohë, nga ekzekutivi rikujtojnë mesazhet që kryeministri Mickoski dërgoi gjatë shënimit të 36-vjetorit të VMRO-DPMNE-së në Strumicë, ku paralajmëroi se po monitoron nga afër punën e institucioneve dhe se nuk është i kënaqur me performancën e një pjese të funksionarëve.
Sipas tij, kanë arritur vërejtje për qasje të pamjaftueshme nga disa ministra dhe drejtorë, si dhe për distancim nga problemet reale dhe nevojat e qytetarëve. Mickoski theksoi se Qeveria është zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo për të shijuar privilegjet e pushtetit.
Ai paralajmëroi se nuk do të tolerojë pakujdesi, papërgjegjësi dhe largim nga parimet mbi të cilat është ndërtuar koalicioni qeverisës, duke shtuar se çdo funksionar që nuk mund t’u përgjigjet sfidave duhet ta rishqyrtojë vendin e tij në ekip.
“Po i shënoj me saktësi të gjitha devijimet dhe do të ketë ndryshime. Këto ndryshime duhet të përmirësojnë kapacitetet dhe të nxjerrin maksimumin nga secili individ”, kishte deklaruar Mickoski.
Sipas Qeverisë, kriteret kryesore në procesin e rikonstruimit do të jenë efikasiteti, qasja ndaj qytetarëve, realizimi i programit qeveritar dhe përkushtimi i plotë në punë. Në këtë kontekst, emri i Zoran Lutkovit përmendet si i pari që pritet të largohet nga posti ministror, ndërsa në ditët në vijim priten të qartësohen edhe ndryshimet e tjera në kabinetin qeveritar.
