Koordinatorja e Grupit Parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e emërtimeve të disa rrugëve dhe shesheve në Tetovë, me ç’rast rikthehet emri “Marshall Tito” në vend të sheshit “Iliria”.
Ajdari e cilësoi këtë vendim si një sulm ndaj kujtesës historike dhe identitetit kolektiv të shqiptarëve në Tetovë, duke theksuar se sheshi “Iliria” përfaqëson shumë më tepër se një emërtim.
“Sheshi ‘Iliria’ është simbol i sakrificës, rezistencës dhe krenarisë shqiptare. Aty kanë zënë fill lëvizje të rëndësishme studentore dhe kombëtare për flamurin, gjuhën shqipe dhe Universitetin e Tetovës. Ai përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë dhe kujtesës sonë kolektive”, theksoi Ajdari.
Sipas saj, emrat mund të ndryshohen përmes vendimeve institucionale, por historia dhe kontributi i brezave të tërë nuk mund të fshihen apo të zhbëhen.
“Mund t’i ndryshoni emrat, por nuk mund ta ndryshoni historinë. Kujtesa për sakrificat dhe përpjekjet e shqiptarëve në Tetovë do të mbetet e gjallë dhe e pandryshueshme”, deklaroi Ajdari.
Ajo shtoi se respektimi i identitetit, historisë dhe simboleve që përfaqësojnë rrugëtimin e shqiptarëve është parakusht për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe demokratike.
