AKTUALE

CIKLONI GJEOPOLITIK DHE PAKTET E FUNDIT TË TRANZICIONIT SHQIPTAR!

Shkruan: Azgan Haklaj

Në skakierën e ftohtë të gjeopolitikës ballkanike, ajo që po luhet sot në Shqipëri nuk është më një lojë rrotacioni të thjeshtë partish, por një operacion i mirëfilltë kirurgjikal për demontimin e plotë të një kaste të tërë tranzicioni.
Kur shohim lëvizjet e fundit tektonike—ku SPAK po bën gati kërkesën e dytë drejtuar kuvendit për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ku llogaritë bankare ngrihen për blerjet e dyshimta të tokave në Zvërnec—bëhet e qartë se partnerët ndërkombëtarë nuk po përdorin thjesht instrumente administrative, por po ekzekutojnë një skenar të kontrolluar përmes levave gjeopolitike.
Në këtë kontekst, pyetja që shtrohet nuk është më se si do të rrëzohet njëri apo tjetri, por si po funksionon ky pakt i heshtur dhe i fundit i të vjetërve, përballë një elite të re gjeopolitike që po troket në derë.

Aleanca e Fundit e të Vjetërve: Berisha, Rama dhe Kushti i Largimit!

Gatishmëria e Sali Berishës për t’u pajtuar me largimin e tij të pashmangshëm nga politika vjen me një kusht të vetëm historik: marrjen me vete në humnerë edhe të Edi Ramës.
Kjo sjellje zbulon një të vërtetë të madhe që shpesh është mohuar në sipërfaqen e debatit publik.
Si njeriu i parë që e kam artikuluar këtë tezë publikisht në të gjitha mediat televizive, kam theksuar gjithmonë se Rama dhe Berisha janë bashkë.
Ata nuk janë bashkë në kuptimin e një miqësie apo marrëveshjeje të hapur, por në një rrafsh shumë më të thellë ekzistencial—kur interesat e tyre personale për mbijetese dhe pushtet përputhen, ata funksionojnë si dy anë të së njëjtës monedhë të tranzicionit shqiptar.
Deklarata e fundit e Berishës mbi heqjen e kufizimit për të shkelur në Amerikë nuk është thjesht një manovër retorike, por një përpjekje e dëshpëruar për të treguar legjitimitet ndërkombëtar në momentin kur sistemi po e nxjerr jashtë.
Ai e di se cikli i tij është mbyllur, por duke mbajtur të bllokuar kampin opozitar, ai siguron që edhe Rama të mos ketë një rrugëdalje të lehtë.
Kjo është një lojë me humbje totale (lojë me shumë zero): nëse epoka e liderëve “sovranë” të viteve ’90 po merr fund, ata do të bien të dy, duke tërhequr pas vetes ngrehinën e vjetër politike.

Heshtja e Partisë Socialiste dhe “Kujdestari” që po Prisni!

Ajo që ende nuk ka dalë plotësisht në sipërfaqe është zëri i hapur kundër brenda Partisë Socialiste në pushtet.
Sot, mazhoranca duket e ngrirë, e rrethuar nga frika e skanerit penal dhe dosjeve të njëpasnjëshme.
Pas goditjeve ndaj Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës dhe izolimit të figurave kryesore, moslëshimi i Belinda Ballukut nga ana e Ramës duket se po kthehet në katalizatorin e thyerjes përfundimtare të durimit të partnerëve strategjikë.
Në prapaskenë, nën diktatin e Uashingtonit dhe Brukselit, po përgatitet terreni për një implozion të brendshëm.
Heshtja e brendshme në PS nuk është besnikëri, por pritje e momentit kur presioni i SPAK-ut të bëhet i papërballueshëm për të gjithë strukturën.
Kur laku rreth kryeministrit të ngushtohet aq shumë sa të rrezikojë mbijetesën e vetë partisë, brenda radhëve të mazhorancës do të diktohet shfaqja e një fraksioni të ri.
Ky grup do të përbëhet pikërisht nga teknokratët e parashikueshëm—figura pa peshë të madhe historike apo karizme absolute, por të shkolluar jashtë dhe të integruar në projektet perëndimore. Ata do të marrin mbështetjen për të menaxhuar një qeveri tranzitore apo “kujdestare”, duke e nxjerrë liderin e vjetër jashtë loje pa pasur nevojë për një përplasje civile në tavolinë.

SPAK si institucioni i Vetëm i Paster dhe Presioni i Rrugës!

Në këtë ekuacion të ndërlikuar, Strukturës së Posaçme (SPAK) po i lihet roli i organizmit të vetëm të pastër në vend.
Edhe pse jo me ritmin e shpejtë që presin qytetarët e lodhur nga pritja, për shkak të pengesës nga lidhja si nyje gordiane e trinomit oligarkisë, politike, financiare dhe krimit të organizuar SPAK-u po tregon një orientim të vendosur për të ndëshkuar krimin në nivelet më të larta shtetërore dhe politike. Ngrirja e llogarive bankare për blerje tokash në bregdetin e Zvërnecit dhe goditjet ndaj dikastereve strategjike tregojnë se koha e mosndëshkueshmërisë ka mbaruar.
Megjithatë, kjo makineri institucionale ka nevojë për karburantin e brendshëm: revoltën popullore.
Sot kemi një ngërç të madh në sheshe.
Protestuesit ende nuk kanë publikuar organizatorët e tyre dhe as nuk kanë paraqitur kërkesa të qarta apo një platformë të strukturuar politike.
Një fakt interesant dhe njëkohësisht një sugjerim thelbësor në këtë pikë lidhet me mjetet e artikulimit: për të qenë koherente dhe për të goditur në shenjë, kjo protestë do të duhej të marshonte me pankarta të qarta në mbështetje të SPAK.
Në kushtet kur SPAK konsiderohet gjerësisht si i vetmi organizëm që po operon mbi kupolën e vjetër, mungesa e një sinergjie të tillë vizuale dhe politike në sheshe vetëm sa e zbeh’ kauzën.
Sepse instrumenti i vetëm i drejtësisë që po bën pastrimin dhe e vetmja shpatë që do të presë nyjen gordiane të trinomit që mban peng si oktapod Shqipërinë prej 35 vitesh është SPAK!

Banner

Related posts

IPIS: BDI i fiton zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Gjyla Halili

Votoi lideri i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami. Ja mesazhi i tij

Gjyla Halili

Përkrahje masive për Blerim Bexhetin në Gllumovë

Gjyla Halili