AKTUALE

Forumi Shqiptar dënon ndalimin e Dodë Ivanajt, kërkon sqarim të menjëhershëm nga institucionet

Forumi Shqiptar ka dënuar me ashpërsinë më të madhe ndalimin e Dodë Ivanajt, duke kërkuar nga institucionet kompetente sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për rastin.

Sipas deklaratës, ndaj Ivanajt nuk është vepruar në kuadër të një procedure standarde policore, por mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga një qytetar i Malit të Zi.

Për këtë arsye, Forumi kërkon verifikimin e plotë të bazës ligjore dhe besueshmërisë së kallëzimit.

“Siç na është konfirmuar, ndaj Dodë Ivanajt nuk është vepruar sipas detyrës zyrtare të policisë, por mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga një qytetar i Malit të Zi. Është e nevojshme të verifikohet plotësisht baza ligjore dhe besueshmëria e këtij kallëzimi,” thuhet në reagim.

Forumi thekson gjithashtu se, sipas informacioneve të familjes, Ivanaj më 21 maj nuk ka qenë në territorin e Malit të Zi

Ja postimi plotë:

Forumi Shqiptar dënon me ashpërsinë më të madhe ndalimin e Dodë Ivanajt dhe pret nga institucionet kompetente sqarimin e menjëhershëm dhe të plotë të këtij rasti.

Siç na është konfirmuar, ndaj Dodë Ivanajt nuk është vepruar sipas detyrës zyrtare të policisë, por mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga një qytetar i Malit të Zi. Pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme që të verifikohet plotësisht baza ligjore dhe besueshmëria e një kallëzimi të tillë.

Sipas informacioneve të bëra të ditura nga familja e tij, Dodë Ivanaj më 21 maj nuk ka qenë në Mal të Zi. Për këtë arsye, shtrohet pyetja se si ka ardhur deri te nisja e një procedure të tillë dhe kush do të mbajë përgjegjësi nëse rezulton se pretendimet e paraqitura në kallëzim janë të pavërteta.

Veçanërisht shqetësues është fakti se Dodë Ivanaj është një njeri i respektuar dhe pjesëtar i diasporës sonë, i cili pa asnjë dyshim do t’i ishte përgjigjur çdo thirrjeje të organeve kompetente për të dhënë deklaratë lidhur me kallëzimin. Për këtë arsye, mbetet e paqartë pse ka qenë i nevojshëm ndalimi i tij.

Ngjarje të tilla e dëmtojnë edhe më tej besimin që shqiptarët dhe diaspora jonë kanë ndaj institucioneve shtetërore dhe dëshmojnë se standardet e dyfishta ndaj shqiptarëve ende nuk i përkasin së kaluarës. Ky rast përbën gjithashtu një goditje për integrimet evropiane.

Shtrohet pyetja pse institucionet nuk reagojnë kur në stadiume dhe në ngjarje të tjera bëhen thirrje për vrasjen e shqiptarëve dhe kur shfaqen fyerje mbi baza kombëtare. A nuk vlejnë fyerjet ndaj shqiptarëve, apo nuk konsiderohen mjaftueshëm serioze për të nxitur reagimin e organeve kompetente? A janë jetët e shqiptarëve më pak të vlefshme se jetët e qytetarëve të tjerë?

Forumi Shqiptar nuk kërkon privilegje për askënd. Ne kërkojmë vetëm drejtësi, trajtim të barabartë dhe zbatim të ligjit të bazuar në fakte. Presim që organet kompetente ta zbardhin urgjentisht këtë rast, ndërsa nëse kjo nuk ndodh brenda afatit më të shkurtër, do të pasojë një reagim shumë i fuqishëm dhe i vendosur.

Diasporën tonë nuk do ta ndalin veprime të tilla. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë dinjitetin, të drejtat dhe interesat e njerëzve tanë, kudo që ata jetojnë.

FORUMI SHQIPTAR

Banner

Related posts

VLEN-i sot si Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dikur, kundër studentëve, në anën e pushtetit

Gjyla Halili

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, priti në takim Nuncin Apostolik

Gjyla Halili

Fitorja e zgjedhjeve në Rrogozhinë, Veliaj: Kush shkëputet nga Saliu dhe salinjtë, ka bërë një vepër patriotike

admin