Këshilltari i BDI-së në Këshillin Komunal të Kërçovës, Shefki Imeti, ka reaguar publikisht lidhur me zvarritjen dhe mosrealizimin e një sërë projektesh infrastrukturore në komunë, duke kërkuar përgjigje nga kryetari i komunës dhe koalicioni VLEN.
Në një deklaratë publike, Imeti thekson se prej muajsh qytetarët po pyesin për fatin e projekteve komunale, të cilat sipas tij janë planifikuar, kontraktuar dhe financuar gjatë mandatit të ish-kryetarit Fatmir Dehari.
Sipas tij, bëhet fjalë për projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë rikonstruksionin e rrugëve në Greshnicë, Vraneshticë, Zajaz, Kolibar-Cërvicë, Mahmude-Strellcë/Garanë, Ivanidoll dhe projekte të tjera, si dhe rikonstruktimin e objektit të zjarrfikësve dhe objektit “Sande Shterioski” në lagjen Pashin.
Imeti thekson se vlera e përgjithshme e këtyre projekteve arrin në rreth 5 milionë euro dhe se shumica e tyre vazhdojnë të jenë të paimplementuara, të zvarritura ose të bllokuara.
“Qytetarët sot shohin vetëm heshtje, zvarritje dhe bllokadë. Prandaj pyesim publikisht: Pse nuk punohet në këto projekte? Pse kanë kaluar afatet dhe kush mban përgjegjësi për këtë gjendje?”, ka deklaruar Imeti.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin se një pjesë e madhe e projekteve ndodhen në vendbanime shqiptare, duke pyetur nëse kjo është rastësi apo pjesë e një qasjeje të qëllimshme ndaj investimeve.
Në fund të reagimit, këshilltari i BDI-së ka theksuar se projektet nuk i përkasin asnjë partie politike, por qytetarëve të Kërçovës, duke bërë thirrje që interesat e qytetarëve të mos bllokohen nga përplasjet politike.
“Kërçova nuk guxon të mbahet peng nga inatet politike. Çdo vonesë apo bllokim i këtyre projekteve është bllokim i drejtpërdrejtë i zhvillimit të qytetit dhe interesit publik”, ka përfunduar Imeti.
Ja postimi plotë:
PSE U NDALËN PROJEKTET E KOMUNËS?
Nga këshilltari I Bdi së më komunën e Kërçovës z. Shefki Imeti
Të dashur qytetarë,
Prej muajsh, nga ju marr të njëjtën pyetje:Çfarë po ndodh me projektet e komunës dhe pse zvarriten?
Sot si këshilltar komunal, kam obligim moral dhe publik t’ua përcjell këto pyetje kryetarit të komunës dhe koalicionit të tij, VLEN.
Po flasim për projekte të hartuara dhe kontrata të nënshkruara nga Fatmir Dehari, nga radhët e BDI-së, me mjete të siguruara dhe procedura të përfunduara edhe ate:
* Rekonstruktimi i rrugës dhe kanalit atmosferik në fsh. Greshnicë, i nënshkruar më datë 26.09.2025 (zvarritet)
* Rekonstruktimi i rrugës “4 Korriku”, i nënshkruar më datë 26.09.2025 (zvarritet)
* Rregullimi i shtratit të kanalit atmosferik në fsh. Garanë–Strellcë, i nënshkruar më datë 15.09.2025 (zvarritet)
* Rekonstruktimi i rrugës në Vraneshticë, i nënshkruar më datë 15.09.2025 (pa filluar ende)
* Rekonstruktimi i rrugëzës në Zajaz, i nënshkruar më datë 18.09.2025 (pasiv)
* Rekonstruktimi i rrugës Kolibar–Cërvicë, i nënshkruar më datë 29.09.2025 (zvarritet)
* Rekonstruktimi i rrugës Mahmude–Strellcë/Garanë, i nënshkruar më 12.09.2025 (pasiv)
* Rekonstruktimi i rrugës në fsh. Greshnicë, i nënshkruar më datë 29.08.2025 (zvarritet)
* Rekonstruktimi i rrugës “Trenko Taseski” në Ivanidoll, i nënshkruar më datë 29.09.2025 (zvarritet)
* Rekonstruktimi i rrugës për te Manastiri “Sv. Bogorodica”, i nënshkruar më datë 23.09.2025 (pasiv)
* Rekonstruktimi i objektit të zjarrfikësve, i nënshkruar më datë 15.10.2025
* Rekonstruktimi i objektit “Sande Shterioski” në lagjen Pashin, kontrata e nënshkruar dhe e prishur nga kryetari aktual (nuk lejoi fillimin e punimeve)
* Vlera totale e të gjitha projekteve kap shumën rreth 5.000.000 euro.
Pra, gjithçka ka qenë gati për realizim. Por sot, qytetarët shohin vetëm heshtje, zvarritje dhe bllokadë.
Prandaj, publikisht pyes:
Pse nuk punohet në këto projekte?
Pse janë lënë të kalojnë afatet?
Kush mban përgjegjësi për këtë neglizhencë?
A është e rastësishme që shumica e këtyre projekteve ndodhen në vendbanime shqiptare?
Qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë:A po ndalen këto projekte vetëm që nesër dikush t’i përvetësojë dhe t’i shesë si “punë të veta”?
Dhe ku është sot VLEN?
kjo është forma për ti përfaqsuar shqipëtarët,duke heshtur?
Mosreagimi i juaji është bashkëpërgjegjësi.
Një gjë: Këto projekte nuk janë të BDI-së, as të VMRO-së, as të VLEN-it, por janë projekte të qytetarëve.
Dhe kushdo që i bllokon, bllokon drejtpërdrejt zhvillimin e Kërçovës dhe interesin e qytetarëve.
Kërçova nuk guxon të mbahet peng nga inatet politike.
