
Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ka akuzuar drejtuesit e VLEN-it për standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve që lidhen me prokurimet publike.
Sipas Shabanit, për muaj të tërë përfaqësuesit e VLEN-it kanë sulmuar dhe akuzuar Arben Taravari lidhur me anulimin e tenderit për parkingun në Qendrën Klinike, pa paraqitur prova konkrete për pretendimet e tyre.
“Taravari kërkoi publikisht disa herë që institucionet shtetërore të hetojnë rastin dhe të publikojnë çdo provë eventuale kundër tij. Megjithatë, deri më sot nuk është prezantuar asnjë dëshmi që do t’i mbështeste akuzat e ngritura”, theksoi Shabani.
Ai reagoi edhe pas vendimit të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike për anulimin e tenderit për autobusë, duke vlerësuar se nga drejtuesit e VLEN-it mungon i njëjti intensitet reagimi që, sipas tij, u shfaq në rastin e Taravarit.
Shabani tha se qytetarët meritojnë transparencë, përgjegjësi dhe standarde të barabarta për të gjitha rastet, pa dallime politike apo etnike.
Ja postimi plotë:
Kryetarët e partive të VLEN-it nuk patën lënë gur pa hedhur mbi Arben Taravarin. Nuk lanë shpifje pa përdorur për ta përbaltur atë, vetëm pse ai e anuloi tenderin për parkingun në Klinikat Universitare. Me muaj të tërë e akuzuan, e linçuan politikisht dhe mediatikisht, edhe pse Taravari publikisht kërkoi disa herë që shteti t’i përdorë të gjitha institucionet dhe të nxjerrë të paktën një provë të vetme kundër tij. Asnjë provë nuk sollën. Vetëm zhurmë, propagandë dhe etiketime. Poshtersia dhe ligësia e tyre shkoi deri aty sa i përfshinë edhe fëmijët e tij.
Por kur Komisioni Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike ka marrë vendim për anulimin e tenderit për autobusë, VLEN-ushët heshtin. Asnjë fjalë, asnjë moralizim, asnjë “luftë kundër korrupsionit”.
Pra, kur bëhet fjalë për të sulmuar shqiptarin pa asnjë bazë, pa asnjë argument, Vlenushët shpallen prokurorë e gjykatës brenda natës, dhe nga luanë shndërrohen në pula, kur është në pyetje ndonjë politikan maqedonas.
Se çfarë është kjo tendencë antishqiptare e Vlenushëve, veç dreqi mund ta kuptojë!!!