AKTUALE

Durimi mbaroi! Më 18 maj do ta kuptoni se gjuha shqipe nuk mbytet dot Shkrimi nga Arben Taravari

Banner

Përpjekjet tuaja për të na gjymtuar intelektualisht, duke na detyruar të mbrojmë dijen në një gjuhë që nuk është jona, vetëm sa po e ndezin më shumë zjarrin e revoltës. Sa më shumë ta shtypni këtë të drejtë, aq më i fuqishëm dhe i pandalshëm do të jetë orteku i reagimit tonë. Më 18 maj do ta kuptoni se gjuha shqipe nuk mbytet dot dhe se ky brez nuk ka ndërmend të ulë kokën para askujt!

Nga Arben TARAVARI

Zëri i studentëve nuk është thjesht një thirrje për të ushtruar të drejtën e provimit të jurispodencës në gjuhën shqipe është ulurima e një dinjiteti të nëpërkëmbur që refuzon të heshtë.

Më 18 maj, ura e gurit dhe sheshi nuk do të mbushen me numra apo me dëgjues të thjeshtë ligjëratash, por me brezin që ka vendosur të thyejë prangat e një absurditeti ligjor dhe kulturor që zgjat prej vitesh.

Është e papranueshme, e dhimbshme dhe thellësisht fyese që studentët shqiptarë duhet ende të luftojnë për diçka aq elementare, aq të natyrshme dhe aq ekzistenciale sa dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare në gjuhën shqipe.

Sistemi që supozohet të prodhojë mbrojtës të ligjit dhe të drejtësisë, sot po kryen krimin më të rëndë mbi vetë ata që po formon, po u privon të drejtën për të menduar, argumentuar dhe mbrojtur të vërtetën në gjuhën e nënës.

Si mundet një student të absorbojë frymën e drejtësisë kur vetë institucionet që e rrethojnë po zbatojnë një padrejtësi kaq flagrante?

Kjo nuk është thjeshtë një neglizhencë administrative, ky është një degradim i qëllimshëm, një injorim arrogant i një kërkese plotësisht legjitime. Po flasim për një të drejtë që nuk po kërkohet si lëmoshë, por që mbrohet dhe garantohet me ligj e me kushtetutë.

Megjithatë, ky ligj mbetet një letër e vdekur, një bojë e tharë mbi tavolinat e burokratëve që ndërrojnë kolltuqet por jo mendësinë përjashtuese. Ky është momenti i rebelimit të pastër intelektual, ku fryma e studentit ngrihet kundër hipokrizisë së një sistemi që kërkon besnikëri, por ofron diskriminim.

Çfarë vlere ka diplomimi në një shtet që të detyron të tjetërsosh gjuhën tënde për të dëshmuar dijen tënde?

Kjo protestë është kufiri ku durimi mbaron dhe ku dinjiteti merr frenat në dorë.

Nëse sot nuk dëgjohet ky zë, çfarë na pret nesër? Nëse ky degradim i gjuhës shqipe kalon në heshtje, cilat do të jenë pasojat e radhës për arkitekturën tonë kombëtare dhe profesionale këtu? Kush do t’i mbrojë nesër qytetarët tanë nëpër gjykata, nëse sot avokatët dhe gjykatësit e ardhshëm gjymtohen që në hapat e tyre të parë professional?

Pse po lejojmë që elita jonë intelektuale të rritet me ndjenjën e qytetarit të dorës së dytë? Dhe mbi të gjitha, pse kjo heshtje mbytëse nga ata që e kanë për detyrë të ngrenë zërin për të drejtat e shqiptarëve? Pse kanë frikë të reagojnë, të veprojnë të i’u dalin në mbështetje studentëve.

A peshon më shumë heshtja e tyre komode sesa e ardhmja e një brezi të tërë që thjesht po kërkon të drejtën e tij legjitime?

Nëse kjo padrejtësi kalon në heshtje, nesër do të zgjohemi në një realitet ku institucionet e drejtësisë do të jenë krejtësisht të pa arritshme për qytetarin e thjeshtë shqiptar.

Cilat do të jenë pasojat e radhës nëse dorëzohemi sot? Do të kemi një sistem ku e drejta mbrohet vetëm në njërën gjuhë, duke e kthyer administratën dhe gjyqësorin në një mjedis steril e përjashtues, ku shqiptarët trajtohen si të huaj në tokën e tyre.

Pasojat do të shtrihen thellë në palcën e shoqërisë, dëshpërim masiv i rinisë, humbje e besimit te shteti i së drejtës dhe një valë e re e ikjes së trurit, ku mendjet më të ndritura do të vazhdojnë të braktisin vendin sepse shteti u kërkon të tjetërsojnë identitetin për një licencë profesionale.

Pse ende për disa privilegje të pushtetit po lejojmë që elita jonë intelektuale të rritet me kompleksin e qytetarit të dorës së dytë? Pse nuk ka asnjë reagim konkret me vepra e jo me fjalë dhe statuse facebooku nga ata që dje morrën vota në emër të kësaj gjuhe ndërsa sot nuk çajnë kokën për degradimin e saj? A peshon më shumë komoditeti i një karrigeje politike sesa dinjiteti dhe e ardhmja e një brezi të tërë?

Prandaj, kjo nuk është më thjesht një betejë e studentëve për provimin e jurispodencës kjo është një thirrje zgjimi për çdo shqiptar që merr frymë në këto troje.

Prindër, profesorë, intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë mos qëndroni spektatorë përpara vrasjes akademike të fëmijëve tuaj! Kur preket gjuha, preket ekzistenca. Nëse sot nuk bëhemi mburojë për këta të rinj që po dalin në shesh më 18 maj, nesër do të jetë vonë për të qarë mbi rrënojat e të drejtave tona. Ngrihuni dhe bashkohuni me zërin e tyre, sepse dinjiteti nuk dhurohet, ai merret.
Dhe ky mesazh shkon direkt për të gjithë ata që, të fshehur pas burokracive dhe mureve institucionale, vazhdojnë të luftojnë gjuhën shqipe dhe të pengojnë me çdo kusht faktorizimin e shqiptarëve duke pranuar hapur si vasal nënshtrimin.

Ju që me strategji të vjetra e me urrejtje të re përpiqeni të na mbani në periferi të vendimarrjes, dëgjojeni mirë këtë zë! Gjuha shqipe nuk është një lëshim që na e bëni ju nga mëshira, as një kompromis politik që mund ta tregtoni sipas qejfit. Ajo është rrënja, është ligji dhe është e drejta jonë absolute, e fituar me gjak e sakrifica që nuk mund t’i fshini me një laps administrate.

Përpjekjet tuaja për të na gjymtuar intelektualisht, duke na detyruar të mbrojmë dijen në një gjuhë që nuk është jona, vetëm sa po e ndezin më shumë zjarrin e revoltës. Sa më shumë ta shtypni këtë të drejtë, aq më i fuqishëm dhe i pandalshëm do të jetë orteku i reagimit tonë.

Më 18 maj do ta kuptoni se gjuha shqipe nuk mbytet dot dhe se ky brez nuk ka ndërmend të ulë kokën para askujt!

Banner

Related posts

Reagim nga Forina: BDI pyet qeverinë aktuale për dy vite pa investime

Gjyla Halili

Deklarata e Kurtit, Sela: U godit gjuha shqipe!

Gjyla Halili

Ahmeti: Rusisë nuk i konvenon një Maqedoni e paqtë, Fronti Europian është e vetmja forcë për t’i bërë ballë

Gjyla Halili