
Në prag të protestës së paralajmëruar të studentëve për mbrojtjen dhe respektimin e gjuhës shqipe, Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka zgjedhur një mënyrë tejet domethënëse për të përcjellë një mesazh të fuqishëm ndërgjegjësimi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, në kuadër të asaj që ai e quan #LeximFundjave, ambasadori Meidani ka publikuar vargjet ikonike të kryeveprës “Gjuha Shqype” nga poeti i madh kombëtar, Gjergj Fishta.
Thirrja e Fishtës që ushton edhe sot
Postimi i kreut të diplomacisë shqiptare në Shkup vjen në një moment delikat dhe plot ngarkesë shoqërore, duke u parë si një mbështetje morale ndaj kauzës për ruajtjen e identitetit gjuhësor.
Në faqet e librit të shpërndarë nga Meidani, veçohen vargjet që mbartin një peshë të madhe historike dhe kombëtare:”Pra, shqypëtarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta…”
Më tej, vargjet e Fishtës të përzgjedhura nga ambasadori kujtojnë se si gjuha është elementi kyç që na prezanton para botës dhe na mbron nga asimilimi:
“Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqypëtarë;
trimi n’za, sikurse jini.”
Ky reagim i diplomacisë shqiptare përmes artit dhe letërsisë vjen pikërisht në kohën kur ndjeshmëria ndaj statusit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe ka arritur kulmin tek të rinjtë dhe studentët, të cilët kanë paralajmëruar marshime dhe protesta.
Mesazhi i ambasadorit Meidani, ndonëse i koduar përmes vargjeve të Fishtës, është një rikujtesë e qartë se gjuha shqipe mbetet shtylla e patjetërsueshme e identitetit kombëtar kudo ku jetojnë shqiptarët. (INA)
