
Në ambientet e paraleles së shtrirë të vajzave pranë Medresesë “Isa Beu” në Gostivar u organizua manifestimi tradicional “Ditë e Hapur”, ku morën pjesë përfaqësues të Bashkësisë Fetare Islame, drejtues të institucioneve arsimore, semimaturante dhe mysafirë të shumtë.
Aktiviteti kishte për qëllim prezantimin e kushteve moderne të shkollës, programeve edukative dhe vizionit të medresesë për ndërtimin e gjeneratave të reja me dije, moral dhe përgatitje bashkëkohore.
Në fjalën e tij, koordinatori i paraleles së vajzave në Gostivar, Afrim Alija, theksoi se medreseja sot paraqet një institucion ku ndërthuren teknologjia moderne me edukimin dhe vlerat fetare.
“Medreseja jonë është shkollë e dijes dhe e besimit, shkollë e teknologjisë dhe e moralit, shkollë e disiplinës dhe e kreativitetit”, deklaroi ai, duke shtuar se nxënëset përgatiten jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në zhvillimin e vetëbesimit, kreativitetit dhe aftësive praktike.
Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam Islami, potencoi se institucioni është i akredituar dhe ofron arsimim të plotë në lëndët fetare, shkencore dhe teknologjike.
Ai nënvizoi se medreseja tashmë është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare arsimore, përfshirë bashkëpunimet me shkollat “Imam Hatip” në Turqi.
“Medreseja ka dyert e hapura në të gjitha anët e botës”, u shpreh drejtori Islami.
Ndërkaq, Myftiu i Gostivarit, Sabahudin Zendeli, vlerësoi rolin e medresesë si vatër ku bashkohen dija fetare dhe ajo shkencore, duke theksuar investimet në teknologji, laboratorë modernë dhe projekte inovative.
Ai tha se qëllimi i institucionit është krijimi i personaliteteve të ndershme dhe të përgatitura për sfidat e kohës moderne.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, i cili në fjalimin e tij potencoi rëndësinë e arsimit dhe dijes në ndërtimin e shoqërisë.
Ai tha se dy parime themelore të edukimit janë “Lexo” dhe “Shkruaj”, duke theksuar se dija duhet të jetë gjithmonë në shërbim të vlerave njerëzore dhe dinjitetit të shoqërisë.
Gjatë prezantimit, mysafirët patën mundësi të vizitojnë klasat moderne digjitale, kabinetet e fizikës, kimisë, biologjisë, gjuhëve dhe informatikës, si dhe të njihen nga afër me projektin inovativ “Tabletë për çdo nxënëse”.
Pjesë e programit ishte edhe ekspozita artistike me punime kreative të nxënëseve, ku u prezantuan punime në filigrafi, kaligrafi, xham, letër dhe kadife, duke reflektuar talentin dhe kreativitetin e tyre.
Organizatorët theksuan se medreseja vazhdon të mbetet një institucion që ndërton ura ndërmjet traditës, edukimit fetar dhe dijes bashkëkohore, duke përgatitur gjenerata të suksesshme për të ardhmen.

