
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar 2 Majin, duke e cilësuar këtë datë si një moment të rëndësishëm në historinë më të re të shqiptarëve.
Në një mesazh përkujtimor, Ahmeti theksoi se rikthehet me mendje dhe zemër në Sllupçan, vend ku, sipas tij, u shkrua një nga faqet më domethënëse të historisë kombëtare.
“Shpallja e Karadakut si zonë e lirë nuk ishte thjesht një moment, por një dëshmi e qartë e vendosmërisë për liri, dinjitet dhe barazi,” u shpreh Ahmeti.
Ai shtoi se Karadaku dhe banorët e tij mbeten simbol i qëndresës dhe bashkimit për një të ardhme më të drejtë, duke nënvizuar rëndësinë e sakrificës së dëshmorëve dhe luftëtarëve.
“Sot përkulemi me respekt para atyre që me sakrificën e tyre vendosën themelet e paqes dhe të drejtave që gëzojmë,” theksoi Ahmeti.
Në fund të mesazhit, ai vlerësoi se angazhimi i tyre mbetet udhërrëfyes për të ardhmen, duke përmbyllur me thirrjen: “Lavdi e përjetshme të rënëve për liri.”
Ja postimi plotë:
Sot, në këtë 2 Maj të shënuar, rikthehem me mendje dhe zemër në Sllupçan, aty ku u shkrua një nga faqet më domethënëse të historisë sonë të re.
Shpallja e Karadakut si zonë e lirë nuk ishte thjesht një moment, por një dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë për liri, dinjitet dhe barazi. Karadaku dhe banorët e saj të palëkundur mbeten simbol i qëndresës dhe i bashkimit për një të ardhme më të drejtë.
Sot, përkulem me respekt para dëshmorëve dhe luftëtarëve tanë, të cilët me sakrificën e tyre vendosën themelet e paqes dhe të drejtave që gëzojmë. Angazhimi i tyre mbetet udhërrëfyes për rrugën tonë përpara.
Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!

