
Shkruan: Luan Veliu
Retorika e ditëve të sotme, në gojën e politikanit, është më e zjarrtë se dje gryka e pushkës në betejat e ushtarit dëshmor dhe të çlirimtarit pasues; gjaku i të cilëve nderohet, ndërsa amaneti bartet dhe obligim të realizohet.
Kurrizi i shqiptarëve nuk bart më shumë. Mund të flasim ç’të duam, por kur flitet troç e drejt, pa hile, me fakte dhe argumente, kjo kërkon të kesh qenë vetë aktor i ngjarjeve. Përndryshe, as nuk dëgjoheni dhe as nuk besoheni.
Rrethanat organizative të kohës ishin tejet sekrete dhe të ndërtuara mbi një besim të fortë brenda rrjetit organizativ, me gjurmime të sigurta për çdo veprim. Organizatat tona kishin programin e vet, të përpiktë dhe të rregulluar me etikë të qartë: në sjellje, veshje, takime, në treshe, në këshilla, deri te Këshilli i Përgjithshëm, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Shërbimet sekrete të shtetit jugosllav, ku përfshiheshin Kosova dhe viset shqiptare në Maqedoni, Malësi e Luginë, vepronin në mënyrë të organizuar dhe të pamëshirshme. Ata fuqizonin rrjetet e tyre përmes individëve që i quanin “shqiptarë të ndershëm”, duke i përdorur për gjurmim dhe kontroll. Çdo lëvizje e veprimtarëve mbahej nën vëzhgim të rreptë. Aktiviteti ilegal për ta cilësohej si nacionalizëm, irredentizëm apo separatizëm.
Qëllimi i rrugëtimit ishte imperativ për ata që vullnetarisht i bashkoheshin ilegalitetit. Këta ishin njerëz që e donin kombin dhe vinin nga të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi.
Po cila ishte “detyra e shqiptarit të ndershëm” në atë kohë?
Shërbimet e sigurimit u jepnin njerëzve të tyre detyra të rënda, madje i vendosnin në pozicione si “roje vdekjeje” (smrtna straža), që qëllonte pa paralajmërim. Prandaj, kujdesi duhej të ishte maksimal, që të mos zbulohej asnjë veprim nga vëzhguesit e shtetit.
Sytë e inspektoratit të UDB-së ishin gjithmonë të hapur, sikur nga dy të bëheshin katër.
Rrezikun e shihnin fillimisht te arsimi në gjuhën shqipe, duke e ditur se gjuha dhe historia kombëtare do të forconin ndërgjegjen dhe identitetin shqiptar. Për këtë arsye, ndërhynin që në fillesë, duke tentuar të “presin filizat”, përmes vendosjes së paraleleve të përziera dhe zhvillimit të mësimit në gjuhën maqedonase.
Kjo situatë solli reagim të fortë nga prindërit dhe nxënësit, të cilët kërkonin një vendim të drejtë dhe të menjëhershëm. Në kundërpërgjigje, nxënësit shqiptarë bojkotuan mësimin dhe organizuan protesta.
Megjithatë, e keqja e kësaj gjendjeje ishte mungesa e unitetit: jo të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, e as të gjithë profesorët, ishin në një qëndrim. Një pjesë kërkonte vazhdimin e mësimit në kushtet ekzistuese; disa nxënës dhe profesorë vijonin procesin mësimor, duke zhvilluar të gjitha lëndët në gjuhën maqedonase.
Kjo përçarje e brendshme dobësonte qëndresën e përbashkët dhe i jepte hapësirë veprimit të politikave shtypëse. Megjithatë, pjesa më e ndërgjegjshme dhe më e vendosur nuk u tërhoq. Ajo qëndroi në mbrojtje të së drejtës për arsim në gjuhën amtare, duke e kuptuar se kjo nuk ishte vetëm çështje shkolle, por çështje identiteti, dinjiteti dhe e ardhmërie kombëtare.
Koha dëshmoi se sakrifica, organizimi dhe këmbëngulja nuk ishin të kota. Përkundër presioneve, kërcënimeve dhe përpjekjeve për asimilim, vetëdija kombëtare u forcua dhe rruga drejt realizimit të të drejtave legjitime vazhdoi. Ata që qëndruan, që sakrifikuan dhe që nuk u përkulën, mbetën gurë themeli të asaj që sot gëzohet si e drejtë.
Prandaj, kur sot flitet me retorikë të zjarrtë, duhet kujtuar se historia nuk është ndërtuar me fjalë, por me vepra, sakrifica dhe përgjegjësi. Amaneti i atyre që ranë dhe i atyre që qëndruan, nuk është vetëm për t’u përmendur, por për t’u jetësuar me dinjitet, drejtësi dhe përkushtim.
Luan Veliu
Sllupçan, 02.05.2026


