
Të premten që lamë pas, Myftiu i Tetovës, Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, i shoqëruar nga sekretari Semir ef. Fazliji, mirëpriti në një takim zyrtar sekretarin e Kryqit të Kuq, z. Shkëlqim Murati.
Tema e diskutimit gjatë takimit ishte vazhdimi i suksesshëm i aktivitetit të përbashkët ndërmjet Myftinisë së Tetovës, xhamive të saj dhe Kryqit të Kuq, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Transfuzionin e Gjakut në Spitalin e Tetovës.
Gjatë bisedës, palët u dakorduan që të vijojë tradita e dhurimit të gjakut nga besimtarët e këtij vendi, si një akt i lartë solidariteti dhe humanizmi për t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë urgjente për shpëtimin e jetës. Myftiu theksoi se ky bashkëpunim dëshmon vullnetin e palëkundur të institucioneve tona për t’i shërbyer komunitetit dhe për të kultivuar ndjenjën e humanitetit ndaj tjetrit.
Urojmë që ky aktivitet të jetë i mbarë dhe të shërbejë si shembull frymëzimi për të gjithë. Zoti i shpërbleftë me të mirat e Tij të gjithë kontribuuesit dhe dhuruesit që me këtë gjest fisnik shpëtojnë jetë njerëzish.
