
Komuniteti shqiptar në Texas do të mirëpresë për herë të parë në një vizitë zyrtare Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj.
Sipas organizatorëve, ngjarja do të zhvillohet të enjten, më 23 prill 2026, në orën 17:00, në ambientet e AACC TX – Qendra e Komunitetit Shqiptar Amerikan në Dallas (350 E Southwest Pkwy, Lewisville, TX 75067).
Kjo vizitë konsiderohet një moment me rëndësi të veçantë për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar një rast historik për komunitetin shqiptar në Texas, i cili për herë të parë pret kreun e shtetit shqiptar në një vizitë zyrtare.
Organizatorët theksojnë se aktiviteti synon të forcojë lidhjet mes diasporës dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë, si dhe të promovojë unitetin, identitetin kombëtar dhe bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve në SHBA.
Në njoftim thuhet se pjesëmarrja e komunitetit është e hapur dhe inkurajohet pjesëmarrja familjare, duke e cilësuar këtë ngjarje si një moment bashkimi dhe krenarie kombëtare.
“Ky është një rast i rrallë dhe shumë i rëndësishëm për komunitetin tonë, që na bashkon si familje dhe si komb,” thuhet në njoftim.
Ngjarja pritet të tërheqë pjesëmarrje të gjerë nga komuniteti shqiptar në Texas dhe më gjerë.
Ja postimi plotë:
Mirë se vini në Texas, Sh.T.Z. President Bajram Begaj 🇦🇱🇺🇸
Të dashur bashkatdhetarë,
Me krenari të veçantë dhe emocion të thellë, ju ftojmë të merrni pjesë në një moment historik për komunitetin tonë!
Për herë të parë në historinë e komunitetit shqiptar në Texas, kemi nderin të mirëpresim në një vizitë zyrtare Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj.
📅 E Enjte, 23 Prill 2026
🕔 Ora 5:00 PM
📍 AACC TX – Qendra e Komunitetit Shqiptar Amerikan, Dallas
350 E Southwest Pkwy, Lewisville, TX 75067
Kjo është një ngjarje e rrallë dhe shumë e rëndësishme për të gjithë ne – një moment që na bashkon si komunitet, si familje dhe si komb.
Ju ftojmë të merrni pjesë familjarisht, të tregojmë forcën, unitetin dhe krenarinë tonë kombëtare, dhe të mirëpresim së bashku përfaqësuesin më të lartë të shtetit shqiptar.
Le ta bëjmë këtë pritje një shembull të dinjitetit, respektit dhe dashurisë për atdheun!
Prania juaj ka rëndësi. Zëri ynë i përbashkët ka vlerë.
Mirë se vini të gjithë! 🇦🇱
