
Udhëheqja e Këshillit për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me senatorin amerikan Cory Booker, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet në Ballkan, roli i shqiptarëve në rajon dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara në proceset kyçe gjeopolitike.
Sipas njoftimit të AARC, në një klimë të thelluar polarizimi në politikën amerikane, është theksuar se mbështetja për Kosovën dhe për marrëdhëniet SHBA – shqiptarë mbetet e qëndrueshme dhe bipartizane. Si demokratët, ashtu edhe republikanët, vijojnë ta konsiderojnë faktorin shqiptar si element strategjik në Ballkan.
Gjatë takimit, thuhet në njoftim, senatori Booker është shprehur se integrimi i Kosovës në NATO përbën interes kombëtar të SHBA-ve, ndërsa shqiptarët në rajon duhet të luajnë rol më të fuqishëm si faktor stabiliteti dhe si kundërpeshë ndaj ndikimeve ruse dhe kineze. Nga ana e saj, AARC ka theksuar nevojën për rikthimin e një lidershipi të fuqishëm amerikan në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke e vendosur njohjen reciproke si objektiv qendror, në përputhje me politikën tradicionale të Uashingtonit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i është kushtuar edhe zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, ku përfaqësuesit e AARC kanë ngritur shqetësime për zbatimin e të drejtave të gjuhës shqipe dhe protestat e fundit studentore lidhur me të drejtën e shqipes në provimin e Jurisprudencës. Ata kanë theksuar se respektimi i standardeve demokratike mbetet kyç për stabilitetin afatgjatë të vendit, ndërsa kanë kërkuar respektim të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Takimi është mbyllur me diskutime për një vizitë të mundshme të senatorit Booker në rajon në një të ardhme të afërt, ndërsa AARC ka ritheksuar se do të vazhdojë angazhimin për të mbajtur çështjet shqiptare në agjendën e politikës amerikane dhe për të forcuar rolin e SHBA-së si garant i paqes dhe stabilitetit në Ballkan. (koha.mk)
