AKTUALE

Afatet kushtetuese Konjufca: Nëse opozita propozon kandidat për president, unë tërhiqem menjëherë

Banner

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se është i gatshëm ta tërheqë kandidaturën e tij në momentin që partitë opozitare të paraqesin një propozim tjetër për president.

VV i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku. Në mungesë kuoromi, procesi ka mbetur në gjysmë.

“Në momentin që opozita e qet një kandidat të përbashkët unë menjëherë do ta bëja këtë punë, gjëja e parë që do ta bëja sepse le të themi se shumë më e rëndësishme është që Kosova ta ketë presidentin e vet, sesa që ai ta ketë emrin Glauk Konjufca. Shumë më e rëndësishme është që ta kemi një president, kjo është e para, pastaj për emrin mund të pajtohemi mund ta gjejmë një konsensus mes subjekteve politike”, tha Konjufca para mediave.

Konjufca ndër të tjera tha se kryeministri Kurti së shpejti do t’ju drejtohet edhe një herë partive politike.

“Unë qysh e kam parë deri tash të dy subjektet politike nuk kanë qenë të vullnetshme me propozu emra, kjo është edhe arsyeja se jemi këtu ku jemi dhe nuk po më duket që deri tash kemi gjet një zgjidhje. Natyrisht duhet të besojmë në zgjidhje deri në fund janë edhe 12 apo 13 ditë deri në fund, por besoj që kryeministri tashmë besoj që do t’u drejtohet edhe një herë partive politike. LDK-ja ma ka lënë përshtypjen që do të takohet jo veç edhe njëherë nëse ka nevojë, por më shumë se një herë dhe ta gjejmë një zgjidhje për presidentin”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lënë të nënkuptohet sot se nuk ka ende ndonjë rezultat konkret për çështjen e presidentit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kurti shkurt para mediave tha vetëm sa janë në komunikim me partitë opozitare.

“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, ka thënë Kurti.

Kosova ka hyrë në 15 ditët vendimtare për zgjedhjen e Presidentit, sipas afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse përgjatë këtyre dy javëve nuk arrihet marrëveshje mes partive, do të shkohet sërish në zgjedhje.

Deri më tani ka pasur vetëm një takim për çështjen e presidentit, mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kurti paralajmëroi se do ta ftojë për takim edhe kreun e PDK-së, Bedri Hamza, por ky i fundit ftesë ende nuk ka marrë.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar për Reporteri.net, se nuk do të marrin pjesë në takim pa letër zyrtare.

E kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka përsëritur gjatë së shtunës se partia e tij është kundër që një partie t’i takojnë tri pozicionet shtetërore, presidenti, kryeministri e kryetari i Kuvendit.

Më 4 prill, Vjosa Osmanit i ka përfunduar mandati presidencial. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.

/Reporteri.net/

Banner

Related posts

Papa Françesku i drejtohet ukrainasve: Jini patriotë, refuzoni luftën, falni

Gjyla Halili

Janë paguar 224.748.332 denarë për 7.826 persona për masën 1.9 për prodhimin e realizuar të pemëve për vitin 2024

Gjyla Halili

Probleme me zemrën, stilisti Armend Ramadani shtrihet në spital

Gjyla Halili